Janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta të masakrave të ndodhura në Kosovë gjatë luftës.
Komuna një ditë më parë ka pezulluar lejen për ekspozitën në shesh, e në mëngjes ka hequr tabelat.
Kjo ekspozitë me autor Shkëlzen Gashin ka nxitur reagime publike pasi u identifikuan gabime të shumta për të dhënat e shkruara në të.
Në ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur. Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi. Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike. Pas këtyre reagimeve, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar lejen për ekspozitën dhe të shtunën i largoi nga sheshi.










