Largimi nga Barcelona i pashmangshëm, garë mes dy gjigantëve evropian për Araujon

Ronald Araujo mund të largohet nga Barcelona në afatin kalimtar veror, pavarësisht se në janar vendosi të zgjaste kontratën me klubin katalanas.

Mbrojtësi uruguaian, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i lidhur me një largim të mundshëm, mbetet objekt interesimi për disa nga klubet më të mëdha evropiane.

Bayern Munich është një nga skuadrat më të interesuara për shërbimet e tij, me gjermanët që po konsiderojnë një ofertë prej rreth 65 milionë euro për ta afruar në “Allianz Arena”. Por nuk janë të vetmit: së fundmi, në garë është futur edhe Manchester United, që po e sheh Araujon si një përforcim të mundshëm për qendrën e mbrojtjes.

Afati kalimtar i verës pritet të sjellë lëvizje të mëdha, dhe Barcelona, tashmë nën drejtimin e trajnerit të ri Hansi Flick, po planifikon të forcojë skuadrën, por njëkohësisht të balancojë edhe situatën financiare.

Në këtë kuadër, shitja e një lojtari si Araujo mund të konsiderohet, nëse në tryezë vijnë oferta të mëdha.

Araujo nuk ka pasur gjithmonë një rol të pandryshueshëm këtë sezon, ai është një ndër mbrojtësit më të besueshëm të klubit, sidomos në fazën mbrojtëse kur skuadra është në bllok të ulët.

Nëse Manchester United arrin të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve përmes suksesit në Ligën e Evropës, interesimi i tyre për Araujo mund të konkretizohet.

“Djajtë e Kuq” janë duke kërkuar stabilitet në prapavijë dhe lojtari uruguaian shihet si profili ideal për këtë qëllim.

Sipas burimeve të afërta me situatën, Barcelona nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të Araujos, për sa kohë që oferta është e përshtatshme ekonomikisht.

Një shumë rreth ose mbi 65 milionë euro mund të ndihmojë klubin katalanas të riorganizojë financat dhe të investojë në sektorë të tjerë të skuadrës.

Araujo, i cili është 26 vjeç, ka ende një kontratë afatgjatë me Barcelonën, por verën që vjen mund të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos. Me interesimin e rritur nga Anglia dhe Gjermania, vendimi i tij pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme të kësaj vere për klubin katalanas.