Për një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë historike e kulturore të Kosovës po vjen një ndryshim i madh në mënyrën se si do t’i ofrohet siguria.
Pas vitesh nën kujdesin e KFOR-it, përgjegjësia për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit po kalon gradualisht te Policia e Kosovës.
Një tranzicion që shënon një kapitull të ri për sigurinë e këtij monumenti, ndërsa KFOR-i nuk largohet, por ndryshon rolin e tij.
Kjo u konfirmua nga vetë misioni paqeruajtës.
Veprim i njëjtë do të merret edhe tek Ura e Ibrit. Ndonëse prej vitesh një patrullë e policisë së Kosovës ka qëndruar aty.
KFOR-i bëri të ditur se për krejt këtë proces është informuar rregullisht edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq.
Misioni i aleancës veriatlantike në Kosovë siguroi edhe se personeli i tij është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja.








