Noa Lang dhe Napoli nuk arritën të krijojnë një lidhje të fortë. I transferuar verën e kaluar nga PSV Eindhoven për 25 milionë euro, holandezi nuk arriti të ndikonte te kampionët e Italisë dhe muajin e kaluar u huazua te Galatasaray. Shumë gjëra nuk shkuan siç pritej, veçanërisht marrëdhënia jo idilike me trajnerin Antonio Conte.
“Me të nuk u ndez shkëndija. Duhet të trajtohesh ndershëm, unë nuk e ndjeva këtë aspak. Në fillim doja të luftoja për vendin tim te Napoli, por ka edhe një Botëror këtë verë, ndaj zgjedhja ime ka të bëjë me këtë”, – deklaroi Lang për ESPN.
Holandezi shtoi: “E di që në Hollandë shpesh mendoni se është faji im, por një ditë gjithçka do të dihet. Deri tani kam shumë respekt për klubin me të cilin kam kontratë. Kam marrëdhënie të mira me pothuajse të gjithë te Napoli. Nëntë nga dhjetë persona në ekip nuk donin që unë të largohesha. Ndihem mirë në grup dhe stërvitem çdo ditë fort”.
Lang zbuloi edhe se nuk i ka pritur mirë disa kritika: “Gjatë minutave që luaja, mediat flisnin keq për mua, por unë nuk isha dakord. Sa i përket stilit të lojës, mendoj se kaloja mirë”. Ai përfundoi: “Jam një djalë që ka nevojë për vlerësim, e njoh mirë veten. Nëse nuk e merr vlerësimin nga një person i caktuar…”
The post Lang “thumbon” trajnerin Conte: Nuk u trajtova ndershëm, një ditë gjithçka do të zbulohet appeared first on Telesport.










