“Lamtumirë, baca Haxhi”, Memli Krasniqi ngushëllon familjen Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-Presidentit Hashim Thaçi, i cili u varros sot pa praninë e të birit, pasi Gjykata Speciale nuk i dha leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

Në një postim në Facebook, Krasniqi e përshkroi Haxhi Thaçin si një figurë që mishëronte sakrificën dhe vlerat që ndihmuan në formësimin e historisë së Kosovës.

Ai theksoi se baballarët janë “arkitektët e padukshëm të fateve tona” dhe se trashëgimia e Haxhi Thaçit do të mbetet e gjallë përmes mësimeve dhe vlerave që ai ka përcjellë.

“Baballarët janë arkitektët e padukshëm të fateve tona. Ata janë shtyllat mbi të cilat ndërtojmë ëndrrat tona, rojet e heshtura që mbajnë mbi supe barrën e së ardhmes sonë.

Prandaj, kur një baba largohet nga kjo botë, ai nuk lë pas thjesht një familje në zi, ai lë pas një trashëgimi, një testament të karakterit të tij, të skalitur në jetët e atyre që ai ka rritur, në vlerat që ai ka ngulitur, në vizionin që ka transmetuar.

Me ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, ne nuk vajtojmë vetëm një baba; ne nderojmë një figurë jete që mishëroi sakrificën, mësimet e së cilës formësuan historinë dhe busulla e moralit të të cilit krijoi një LIDER historik.”

Duke kujtuar një bisedë mes Haxhi dhe Hashim Thaçit në vitin 1992, Krasniqi vlerësoi mençurinë dhe guximin e Haxhi Thaçit, duke theksuar se këto parime kanë shërbyer si udhërrëfyes për “të gjithë ata që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë dhe çmimin e lirisë.”

“Në një bisedë me të birin e tij, Hashim Thaçin, pas një aksioni të vitit 1992, Haxhi Thaçi tha fjalë që sot qëndrojnë si një parim udhëzues për të gjithë ata që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë dhe çmimin e lirisë. Me një mençuri të gdhendur nga përvoja, ai i kishte thënë të birit: “Biri im, e di që je futur thellë në punë të rënda. Por ki kujdes, për veten dhe më shumë për shokët e tu. Për Serbinë, mos u mërzit. Mos u korit.” Këto nuk janë thjesht fjalët e një babai, po jehona e brezave të tërë të baballarëve shqiptarë, të cilët e dinin se jeta nuk jetohet për veten, por për një qëllim më të lartë.

Haxhi Thaçi nuk rriti vetëm një djalë. Ai formësoi një udhëheqës, një çlirimtar, një njeri që do të qëndronte në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Vlerat e tij, mësimet e tij, dinjiteti i tij i heshtur, këto janë forcat e padukshme që e udhëhoqën Hashim Thaçin të bëhej një shtyllë e historisë sonë kombëtare.”

Shkrimi i plotë: