Lamtumira e ndaluar: Gjykata Speciale s’i lejoi ish-krerët e UÇK-së të varrosin të afërmit

Një grusht dhe Drenice nuk pati mundësi ta hidhte mbi varrin e babait, Haxhi Thaçi, i cili vdiq të dielën e 16 marsit.

Nga krejt familjarët e bashkëluftëtarët që erdhën për kryeshëndosh, në varrim mungoi fëmija i pestë i Haxhiut e Hyrës, Hashim Thaçi, i cili nga viti 2020 ndodhet në Hagë si i akuzuar për krime lufte.

Edhe pse pesë ditë më parë, ish-presidenti dhe njëri nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte lejuar ta vizitonte babanë në spital, Gjykata Speciale nuk e lejoi të marrë pjesë edhe në varrim, raporton KIKS Kosova.

Djali i ish-presidentit, Endrit Thaçi, përshkroi momentet e fundit të gjyshit të tij.

Nëna e ish-kreut të UÇK-së, gjatë homazheve të bashkëshortit, në asnjë moment nuk mundi t’i ndalte lotët.

E për mos lejimin e ish-presidentit Thaçi në ceremoninë e varrimit, e para e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se do t’i shkruajë kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Moslejimin e Thaçit në Kosovë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka quajtur arbitrar e çnjerëzor.

Ndërkaq, për këtë reagoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Për ngushëllime të familja Thaçi në Burojë të Skenderajt erdhi edhe familja Veseli nga Broboniqi i Mitrovicës.

Por ish-kryeparalmentari Kadri Veseli, nuk mundi të merrte pjesë, ashtu siç ndodhi edhe në korrik të vitit 2021, kur i vdiq babai.

Një goditje tjetër për ish-kreun e UÇK-së, ndodhi më 7 janar të vitit 2022, kur Gjykata Speciale nuk e lejoi të merrte pjesë as në varrimin e nënës, Ajshe Veseli.

Ndërkaq, lajmin për vdekjen e vëllait Azemit, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi e mori nga nipi i tij.

Por në ceremoninë mortore, që u mbajt më 5 tetor të vitit 2024 në Negroc të Drenasit, ish-kreu i UÇK-së i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte, nuk pati mundësi të merrte pjesë, për shkak të procedurave të Gjykatës Speciale.

Përmes zëdhënësit të Gjykatës Speciale, u tha se s’ka as kërkesë publike e as vendim publik të ndonjë gjyqtari lidhur me lirimin e mundshëm të ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.