Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, po bëhet pronari i një prej vilave më të famshme në Spanjë, rezidencës ku dikur jetonin së bashku Shakira dhe Gerard Pique.
Prona ndodhet në lagjen ekskluzive Ciutat Diagonal në Esplugues de Llobregat, një zonë e njohur për privatësinë, sigurinë dhe fqinjësinë me emra të tjerë të mëdhenj të Barçës, si Alejandro Balde dhe Ronald Araujo.
Sipas medieve spanjolle El País dhe El Periódico, vila vlerësohet në rreth 14 milionë euro dhe shtrihet në një truall prej 3,800 metrash katrorë, me tre shtëpi të ndara, pishina të brendshme e të jashtme, palestër dhe ambiente luksoze për relaksim.
Yamal planifikon ta transformojë ish-shtëpinë e çiftit të famshëm në një rezidencë moderne sportive, të pajisur me palestër private, hapësira për rikuperim, trajner personal dhe sistem sigurie të avancuar, një strehë perfekte për një atlet të elitës.
E projektuar në vitin 2012 nga arkitektja Mireia Admetller për Shakirën dhe Pique-n, vila përfaqësonte një simbol të jetës së tyre familjare në kulmin e famës.
Tani, ajo do të bëhet shtëpia e një tjetër ylli në ngritje, Lamine Yamal, që në moshën 18-vjeçare po ndërthur talentin me luksin e botës së futbollit dhe showbiz-it.












