Lajm i madh për talentet e futbollit, ideohet krijimi i “Inter Academy Albania” në vendin tonë

Ministri shqiptar i sporteve Blendi Gonxhja është i angazhuar për konkretizimin e një akademie zyrtare futbolli të Interit në Shqipëri. Ai është takuar me Juxhinin, që drejton “Inter Club Albania”, fan-klubin më të madh të F.C.Internazionale Milano jashtë Italisë, për konkretizimin e një akademie të tillë. Ky projekt ka për qëllim zhvillimin e talenteve të rinj, përfshirjen e komunitetit dhe ndërtimin e një terreni sportiv multi-funksional të ri në Tiranë.

Bashkëpunimi në fjalë synon të ndërthurë sportin, turizmin dhe zhvillimin komunitar, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare përmes një marke sportive globale si Interi. Krijimi i “Inter Academy Albania” do të përfaqësonte një hap historik për futbollin shqiptar dhe brezat e rinj në vend.

Projekti nuk do të ishte vetëm bashkëpunim sportiv, por edhe nismë gjithëpërfshirëse sociale e edukative, që do të lidhte drejtpërdrejt klubin legjendar F.C. Internazionale Milano me sportdashësit vendas e rajonalë. Brenda nëntorit, palët do të jenë së bashku në Milano për jetëzimin e këtij angazhimi dhe planin e punës.

The post Lajm i madh për talentet e futbollit, ideohet krijimi i “Inter Academy Albania” në vendin tonë appeared first on Telesport.