Lajçi i del në krah Osmanit: Kosova s’ka luks të eksperimentojë me besimin ndërkombëtar

Aktori i njohur, Çun Lajçi ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në reagimin e tij, Lajçi vë në pikëpyetje narrativën për mungesë uniteti rreth presidentes Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht.

Sipas tij, historia politike e vendit dëshmon se asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet të plotë, për shkak të fragmentimit të skenës politike dhe dominimit të interesave partiake mbi ato shtetërore.

“Kryeministër, Përtej retorikës së “unifikimit”, prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e interesit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Pretendimet se Presidentja Vjosa Osmani nuk ka qenë figurë unifikuese janë të motivuara politikisht. Historia politike e vendit tonë dëshmon se që nga 2008, asnjë lider nuk ka arritur të prodhojë unitet, sepse skena politike ka qenë e fragmentuar dhe e udhëhequr nga interesa partiake, jo nga interesi shtetëror. Pyetja thelbësore është: Si mund të kërkohet unitet real, kur prioritet mbetet interesi partiak dhe jo ai kombëtar? Në shumë raste, përçarja e brendshme është prodhuar pikërisht nga liderët politikë, në emër të një uniteti selektiv, të përshtatur për nevoja elektorale. Përkundër kësaj, Vjosa Osmani ka arritur të artikulojë me qartësi dhe dinjitet zërin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Aktori shton se problemi nuk qëndron te figurat individuale, por te “mentaliteti përjashtues politik”.

Në reagimin e tij përmendet edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin thuhet se ka shprehur gatishmëri për komunikim të drejtpërdrejtë me presidenten Osmani lidhur me çështjet që prekin raportet me Serbinë, duke e cilësuar këtë si çështje të kapitalit diplomatik dhe jo simpati personale.

“Kujtoj se problemi nuk qëndron te figura, por te mentaliteti përjashtues politik. Në diplomaci, perceptimi dhe qasja janë thelbësore. Është fakt i njohur se Donald Trump i ka shprehur gatishmëri komunikimi të drejtpërdrejtë Presidentes Osmani lidhur me çështjet që prekin raportet me Serbinë. Kjo nuk është çështje simpatie personale, por çështje e kapitalit diplomatik. Gjatë katër viteve të fundit është ndërtuar një narrativë se raportet me Shtetet e Bashkuara janë dëmtuar. Megjithatë, faktet tregojnë se Presidentja është pritur në mënyrë zyrtare dhe me respekt në Shtëpia e Bardhë, duke ruajtur komunikim institucional në nivel të lartë”.

Sipas Lajçit, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar.

“Në një moment delikat për vendin, Kosova nuk ka luksin të eksperimentojë me figura që duhet të nisin nga zero në ndërtimin e besimit ndërkombëtar. Nevojitet përvojë, kredibilitet dhe qasje e drejtpërdrejtë. Historia politike na ka mësuar se gabimi më i madh është të mohohet ajo që funksionon, vetëm sepse nuk i përket një kampi të caktuar politik”.