Lajçak konfirmon se me Bislimin u pajtuan për takimin e ardhshëm në Bruksel, nuk e tregon datën

Emisari evropian, Miroslav Lajçak ka folur pas takimit që kishte në kryeministri me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Lajçak tha se me Bislimin kanë diskutuar për takimin e ardhshëm në nivel kryenegociatorësh në Bruksel. Emisari evropian tha se data është caktuar tashmë, por ai nuk bëri të ditur se kur do të mbahet takimi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ai tha se me Bislimin diskutuan edhe për çështjen e Urës së Ibrit, hapja e së cilës tha se duhet të ndodhë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“U takova me zëvendëskryeministrin Bislimi si pjesë e përgatitjeve për takimin e ardhshëm në Bruksel në nivel kryenegocitorësh ditëve të ardhshëm. Çështje e rëndësishme është si të zhbllokojmë implementimin e marrëveshjes për normalizim, ne do të negociojmë edhe sa është bërë progres nga takimi i fundit. Diskutuam edhe për urën e Ibrit, qëndrimi i BE-së është i njohur dhe do ta përsërisim se ura duhet të hapet, por duhet të hapet në koordinim me me partnerët e ngushtë të Kosovës”, tha Lajçak para mediave.

Lajçak të dielën e 1 shtatorit pas pjesëmarrjes në Forumin e Sigurisë GLOBSEC në Pragë, e pas takimeve që zhvilloi atje pati paralajmëruar se me të përfunduar Forumi i Bledit në Slloveni do të vizitojë Prishtinën.

Ai kishte thënë se vizita në Prishtinë do të jetë si përgatitje për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel.

Në Forumin e Sigurisë në Pragë, emisari sllovak ka theksuar se nuk pret zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pas zgjedhjeve, emisari evropian ka deklaruar se duhet të ketë ndryshim të rëndësishëm në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Javët e fundit BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të mos marrin vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat rrisin tensionet edhe më shumë në veri.