Ky është numri zyrtar i kosovarëve që jetojnë në Zvicër

Numri i të huajve që gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 i janë bashkuar popullsisë rezidente të Zvicrës ka pësuar rënie në krahasim me tremujorin e shkuar për 0.2 për qind, siç ka bërë të ditur Sekretariati Shtetëror për Migracion në Zvicër.

Siç shkruan Albinfo.ch, në Zvicër për tre muaj nga Bashkimi Evropian dhe EFTA Zvicrës i janë bashkuar 33580 persona për të nisur një punë aty. Kjo në krahasim me tremujorin e një viti më parë është për 1.5 për qind më pak.

Si rezultat i lëvizjeve të shumta në Zvicër, bilanci i migrimit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregon rritje për 3.5 për qind ose 13652 të huaj më shumë. Nga ky numër, 8481 persona kanë ardhur nga shtete e BE/EFTA, që përbën një rritje prej 4.6%. Nga vendet e treta kanë ardhur 1.8% më shumë të huaj. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017 bilanci shënon rënie prej 6.7%.

Në kuadër të bashkimit familjar në Zvicër kanë migruar 9511 persona ose 6.6% më pak se në tremujorin e parë të vitit 2018. 20.6% të këtyre njerëzve kanë qenë pjesëtarë të familjeve të shtetasve zviceranë.

Kështu, në fund të marsit në Zvicër kanë jetuar 2 milionë e 090.669 të huaj. Një milion e 429482 prej tyre janë shtetas të BE-së ose të EFTA-s dhe 661.187, të vendeve të treta.

Statistikat tregojnë se në këtë tremujor numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër ka qenë 113 mijë e 482 ose 5.4 për qind e numrit të huajve. Shtetasit kosovarë janë në vendin e pestë pas italianëve, gjermanëve, portugezëve dhe francezëve. Shtetasit e Maqedonisë (shumica dërmuese e tyre janë shqiptarë), me 66 mijë e 561 ose me 3.2%, janë në vendin e tetë për nga madhësia e komunitetit, transmeton albinfo.

Përqindjen dhe numrin më të madh ashtu sikurse edhe deri tash e përbëjnë shtetasit e Italisë, 322 mijë 888 ose 15.4%. Pas tyre vijnë në radhë gjermanët me 308 mijë e 736 ose 14.8% ndërsa në vendin e tretë portugezët me 265 mijë e 621 veta ose 12.7%.