Ky është neni i Rregullores për dërgimin e fletëvotimeve në adresë të votuesve nga diaspora, Radoniqi dhe VV-ja kërkuan të mos zbatohet

Me arsyetimin se është koha e shkurtër dhe votuesve jashtë Kosovës mund të mos iu arrijnë me kohë fletëvotimet në adresën ku jetojnë, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, sot kanë bashkuar forcat duke kundërshtuar publikisht që diasporës t’iu dërgohen fletëvotimet origjinale.

Pavarësisht se rregullorja zgjedhore për votimin jashtë Kosovës është miratuar nga KQZ dhe mban nënshkrimin e kryetarit të KQZ-së, ky i fundit nuk mbështeti zbatimin e saj.

Njëjtë vepruan zyrtarët e VV-së në KQZ.

Rregullorja e KQZ-së për votim jashtë vendit e obligon KQZ-në që votuesve jashtë Kosovës të regjistruar për votim me postë t’u dërgoj përmes postës fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes.

Në mbledhjen e sotme KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor. Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 Euro. Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës.