Ky është kosovari i rrëmbyer në Shqipëri, të dyshuarit thonë se ua kishte borxh 70 mijë euro për drogë

Operacioni policor i koduar “Hostage” në Shqipëri rezultoi me arrestimin e disa personave të dyshuar, që rrëmbyen një 39-vjeçar nga Mitrovica dhe ushtruan dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e mijëra eurove.

Të dyshuarit u kapën në flagrancë  dhe pas ndalimit janë zbuluar detaje të reja,

Siç raporton Euronews Albania, të arrestuarit Julian Zogaj, Orest Çorapaj dhe Vilson Agaj, kanë thënë para Policisë në Vlorë se nuk e kanë marrë peng Fisnik Xhakën, por sipas tyre 39-vjeçari u ka borxh një shumë prej 70 mijë eurosh.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij. Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.” – njoftoi Policia.