Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin terrorist në Ibër Lepenc.
Dy nga të akuzuarit janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim,.
Vëllëzërit akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
“Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” , vëllezërit së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur,pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit”.
Aktakuzë ndaj tre personave për rastin e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”
Njëherësh nga Prokuroria thuhet se, Jovan Viçentijeviq ka vepruar si kolonel i rekrutuar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara për aktivitete kundërligjore në Kosovë.
Po ashtu PSRK njoftoi sot është ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi tjetër, me inicialet I.D për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”.










