Ky është avokati që do ta mbrojë Sami Lushtakun këtë javë në Hagë
Geoffrey Nice, prokurori që ishte bërë i famshëm në Hagë në betejën e tij ndaj Millosheviqit, është avokat i Sami Lushtakut në Hagë.
Avokati britanik ishte angazhuar nga Qeveria për përgatitur dokumentacion në mbrojtje të ish-pjestarëve të UÇK’së, kur Gjykata Speciale të fillonte punën
Avokati britanik, Geoffrey Nice është angazhuar për ta mbrojtur në Gjykatën Speciale, ish-komandantin e UÇK-së në Zonën e Drenicës, Sami Lushtakun.
Angazhimin e Nice-it e ka konfirmuar vetë Lushtaku për Gazetën Express.
“Po, e kam angazhuar z. Geoffrey Nice”, ka thënë shkurt ish-komandati i UÇK-së.
Tashmë është konfirmuar se Lushtaku do të niset nesër me linjë të rregullt për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit Specialist në Hagë.
Sipas shpjegimeve që Nice jepte në letrat e tij, ai ishte angazhuar nga Qeveria e Kosovës pikërisht për të përgatitur material voluminoz, që do të përdorej kur Gjykaya Speciale të fillonte me akuza ndaj pjestarëve të UÇK-së.
“Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.
Nice, i kontaktuar nga Gazeta Express muaj më parë, fillimisht tha se do t’i përgjigjej brenda disa ditëve pyetjeve rreth angazhimit të tij në Kosovë. Më vonë tha se nuk ishte më i gatshëm të fliste.
Në vitin 2011, Avokati britanik kishte dalë me një shkrim, ku kundërshtonte raportin e senatorit Dick Marty, akuzat e të cilit u bënë baza e krijimit të Gjykatës Speciale.