Barcelona është ëndërr e çdo futbollisti dhe kjo ëndërr mund t’i plotësohet një 10 vjeçari shqiptar.
Qyteti i Shkodrës njihet për futbollistët e shquar që ka prodhuar gjatë gjithë historisë. Akademia e klubit por edhe ato private rrisin çdo ditë talentet e së ardhmes.
Një nga këta është edhe Brendon Krepi, djaloshi 10-vjeçar i cili ka rënë në sy për talentin dhe diferencën që ka ndaj moshatarëve, pikërisht në një nga akademitë private të Shkodrës.
Krepi është djali i Kreshnik Krepit, ish-trajnerit të Adës dhe Tërbunit, Besëlidhjes dhe Adës në Kategorinë e Parë, ndërsa ka trajnuar edhe te moshat e Vllaznisë. Së fundmi, djali i tij Brendon Krepi ka marrë pjesë në seleksionimet e një prej klubeve me akademinë më të fortë në Evropë, si Barcelona.
10-vjeçari i talentuar do të ketë në dispozicion një periudhë testimi, ndërsa më pas nëse gjithçka rezulton me sukses mund të hapet drita jeshile për t’u bërë pjesë e akademisë së katalanasve, që talentet nuk i lejon t’i shpëtojnë nga duart. Ëndrra për djaloshin tashmë është reale, me shpresën se gjithçka do të shkojë sipas planit./vipsport/