Ky dyshohet të jetë motivi i vrasjes së 42 vjeçarit në Skenderaj

Një 42-vjeçar mbeti i vrarë sot në Skenderaj. Tashmë janë identifikuar dy të dyshuar, të cilët gjenden në arrati.

T7 mëson jozyrtarisht se motivi i vrasjes dyshohet se ndërlidhet me konflikt pronësor.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka thënë për Gazetën Express se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.

Preteni bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit.

“Prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë menjëherë në vend ngjarje ku është konstatuar se një person ka mbetur i vrarë. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe dy persona të dyshuar janë identifikuar dhe të njëjtit ndodhen në arrati”.

Zëdhënësi i Policisë rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se vrasja ka ndodhur rreth orës 13:50 në një lokal në rrugën “Sala e Hamit Jashari”.

“Sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj. Sipas informatave fillestare të shtënat kanë ndodhur brena një lokal ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës. Rrjedha hetimore po zhvillohet ne drejtim te identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar”, tha Zahiti për Express.