Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme, PDK rezolutë për shkarkimin dhe hetimin e Kusari-Lilës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme në ora 12:00.

Në këtë seancë do të diskutohet për komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila me përgjegjësin e sulmit terrorist të Banjskës në shtator të vitit të kaluar.

Njoftimi për mbajtjen e seancës është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

“Debat Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radojiçiç.”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës e mbështetur edhe nga dy partitë e tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

PDK ka propozuar që në këtë seancë të miratohet edhe një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetime penale ndaj Kusari-Lilës lidhur me komunikimet e saj me Radoiçiq.

“Kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucione kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, që të iniciojë hetime penale në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj kryetares së Grupit Parlamentar të LVV Mimoza Kusari-Lila lidhur me komunikimet e saj me Milan Radoiçiq.”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës së propozuar nga PDK-ja.

Po ashtu kërkohet nga Grupi Parlamentar i LVV shkarkimi i Mimoza Kusari-Lila nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar.

Partia Demokratike e Kosovës ka arritur që të sigurojë 42 nënshkrime për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten lidhur me aferën e përgjimit të shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojiçiq.

Kjo nismë ka ardhur pasi të enjten në seancë kërkesa e PDK-së për debat në Kuvend s’ka marrë përkrahjen e mjaftueshme.