Kuvendi sot me dy seanca, njëra për mandatarin Glauk Konjufca

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se sot do të zhvillojë dy seanca të jashtëzakonshme. Seanca e parë, e cila nis nga ora 11:00, do t’i dedikohet votimit të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.Pas kësaj, në po të njëjtën ditë, Kuvendi do të zhvillojë edhe seancën e dytë të jashtëzakonshme, e cila nis në ora 14:00.

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe miratimi i buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Seanca e parë do të mbahet në orën 11:00.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, ku në rend dite janë votimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK’së, Vlora Çitaku, ka konfirmuar për Reporteri.net se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.

“Sot kemi pasur mbledhjen e GP bashkë me Kryetarin Hamza, dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancën e parë. Para fillimit të seancës do të mbajmë konferencë për shtyp”, ka deklaruar Çitaku.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate drejtuar mediave, njoftoi se nuk do të shkojë në këtë seancë.

“Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, u tha në komunikatë.

Ndërkohë se AAK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, e ka konfirmuar për Reporteri.net, Shefja e Grupit, Time Kadriaj.

“Në ora 11:00 jo”, ka deklaruar shkurt Kadriaj.

Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit.

Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.

Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro.

“Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.

“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.

Pas kësaj seance, në orën 14:00, do të mbahet ajo për votimin e Qeverisë, ku këto parti kanë thënë se do të jenë të pranishme.