Kuvendi shqiptar rrëzon kërkesën për rezolutën e gjenocidit serb në Kosovë

Gjatë seancës plenare të zhvilluar sot (16 tetor 2025), Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Kosovë. Detajet e votimit për këtë kërkesë nuk u bënë publike, por rezultoi në rrëzimin e saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij, u shpreh se, “gjatë periudhës 1998-1999 forcat barbare serbe kryen në Kosovë rreth 100 masakra të evidentuara ndaj popullsisë të pambrojtur të saj. Kështu u vranë rreth 1400 fëmijë”.

Berisha më pas renditi viktimat e shkaktuara nga serbët në Kosovë.

“Ata që shkelin mbi gjakun, sakrificën e tyre, këtij gjenocidi të tmerrshëm, ata nuk janë jo shqiptarë, por ata nuk janë njerëz, ata janë në nivelin e njeriut primitiv ose të kafshës. Po ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten.”

“Këto shifra që ju dhashë janë të rezolutës së parlamentit të Kosovës, të cilën ne duhet ta adaptonim menjëherë”, theksoi Berisha.

“Të mohosh gjenocidin serb në Kosovë, të mohosh veten si shqiptarë, të mohosh ndërgjegjen e kombit, do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje as shoqërore, as njerëzore, as kombëtare”, tha Berisha.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke parashtruar mendimin kundër, u shpreh se, “Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar nga viti 1991 deri në vitin 2025 ka miratuar 9 rezoluta dhe 11 deklarata sa i përket gjithçka ka ndodhur në Kosovë nga ’91-shi, deri në 2025-ën”.

“Vendimi juaj i PD-së, i bërë publik dje, për të bojkotuar protestën e nesërme mbarëkombëtare në mbështetje të UÇK-së dhe komandantëve të saj është thjesht konfirmimi i qëndrimeve dhe i veprimeve kundër interesit të Kosovës”, tha Balla.

“Meqë thatë që nuk doni të jeni përkrah nesh, nuk doni të jeni përkrah kryeministrit, kryeministri nuk do të jetë nesër në protestë. Hajdeni, pse nuk vini? Sigurisht, me kushtin që të mos e politizojmë. Bëni dhe ju nesër një protestë, meqë nuk doni të vini me organizatat e veteranëve të luftës së UҪK-së”, iu drejtua Balla deputetëve të opozitës.

Ai shtoi se Berisha nuk ka nxjerrë kurrë nga goja një fjalë për komandantët që mbahen në Hagë.

Projektligjet dhe raportet e miratuara

Me 73 vota pro, të gjitha nga shumica, u miratuan disa akte kryesore:

Raporti i veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024 (73 vota pro).

Raporti i veprimtarisë së Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024 (73 pro, 2 kundër).

Raporti i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2024 (73 pro, 1 kundër).

Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua me 73 vota pro dhe 9 kundër.

Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të KQZ-së” (73 pro, 1 kundër).

Miratimi i raporteve dhe i projektligjeve të rëndësishme nga shumica u bë në një ditë që u karakterizua nga tensione të forta dhe përplasje, duke përfshirë edhe përjashtimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga seanca plenare.