Në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ligjvënësve kosovarë u takon të marrin pagë kalimtare për 12 muaj pasi ta kryejnë mandatin, me kusht që nuk kanë të hyra të tjera gjatë kësaj kohe.
Një gjë të tillë e kanë shfrytëzuar 101 deputetë nga legjislatura e kaluar, ani pse shumica prej tyre kanë siguruar sërish ulëse në Kuvend. Meqenëse nuk dihet saktë data e konstituimit të legjislaturës së nëntë, deputetët e sapo zgjedhur të Kuvendit kanë vendosur që pagat t’i marrin të plota, pasi e shtuna e 22 marsit, të vitit 2025, ka qenë dita e fundit e legjislaturës së tetë.
E privilegje të tilla nga monitorues së punës së Kuvendit, po konsiderohen si të tepërta, derisa kërkojnë që të njëjtat të reduktohen.
Në një përgjigje të Kuvendit të Kosovës për KosovaPress, del në pah se për pagë kalimtare, përveç ish-deputetëve që s’kanë siguruar sërish postin e të zgjedhurit të popullit, kanë aplikuar edhe deputetët e rizgjedhur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Të njëjtit po konsiderohet se kanë bërë një gjë të tillë nga frika që mos të mbesin pa e marrë pagën e plotë, pasi legjislaturës së tetë i ka mbaruar mandati dhe se ata nuk do të kishin pagë deri sa të konstituohet legjislatura e nëntë.
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, tashmë veçse ka filluar të rrjedh afati ligjor prej 30 ditësh që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të caktojë seancën konstituive të Kuvendit.
Deputetët e rizgjedhur sërish në Kuvend nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe që kanë aplikuar për pagë kalimtare janë: Adelina Granica, Adriana Matoshi, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Armend Muja, Albena Reshitaj, Arjeta Fejza, Arjeta Rexhepi, Artan Abrashi, Avni Dehari, Besim Muzaqi, Dimal Basha, Driton Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fitore Pacolli, Fjolla Ujkani, Halil Thaçi, Haxhi Avdyli, Jeta Statovci, Labinotë Demi-Murtezi, Mefail Bajqinovci, Mimoza Kusari-Lila, Sali Zyba, Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Valon Ramadani.
Ndërkaq, ish-deputetët që s’kanë fituar ulësen në Kuvend nga radhët e LVV-së dhe që kanë aplikuar për pagë kalimtare janë: Adnan Rrustemi, Agon Batusha, Alban Bajrami, Arta Bajralija, Burim Meta, Enver Dugolli, Enver Haliti, Gani Krasniqi, Gazmend Gjyshinca, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Jahja Kokaj, Jetmire Vrenezi, Luan Aliu, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi, Tinka Kurti, Vendenis Lahu, Yllza Hoti.
Kurse, deputetët e rizgjedhur sërish nga radhët e PDK-së dhe që kanë aplikuar për pagë kalimtare janë: Abelard Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi, Blerta Deliu-Kodra, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Rashit Qalaj, Mërgim Lushtaku dhe Memli Krasniqi. E ish-deputetët që s’kanë fituar mandat dhe kanë aplikuar për pagë kalimtare janë: Floretë Zejnullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha, Isak Shabani, dhe Xhavit Haliti.
Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, deputetë të rizgjedhur në Kuvend kanë aplikuar për pagë kalimitare. Ata janë: Anton Quni, Arben Gashi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami dhe Marigona Geci. Ndërkaq, ish-deputetët që s’janë rizgjedhur deputetë dhe kanë aplikuar janë Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Vlora Dumoshi.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës pagën kalimtare nga deputetët e rizgjedhur e ka kërkuar Bekë Berisha dhe Time Kadrijaj. Kurse nga ish-deputetë që s’kanë mundur të fitojnë mandatin kanë aplikuar: Albana Bytyqi, Besnik Tahiri, Haki Abazi, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj. Të drejtën për pagë kalimitare e kanë shfrytëzuar edhe disa deputetë nga komunitetet jo shumicë.
Paga bazë e deputetit të Kuvendit të Kosovës është 1800 euro.
E këto privilegje të deputetëve po i sheh të tepruara profesori universitar, Mazllum Baraliu. Ai thotë për KosovaPress, se kjo për deputetët është më shumë privilegj sesa një e drejtë e tyre.
Sipas tij, të njëjtat duhet të reduktohen në mënyrë që qytetarët ta ndjejnë barazinë.
Baraliu: Privilegjet e deputetëve të tepruara, duhet të reduktohen
“Është një privilegj më shumë sesa një e drejtë. Mendoj që këtë e kanë bërë deputetët në një moment të caktuar për shkak se janë në pozitë të privilegjuar të ligjvënësve, krijimit të ligjeve dhe rregullave në këtë shoqëri. Mirëpo a është e ndershme apo jo duhet të vlerësojnë ata…Për që është e tepërt, është e tepërt. Për këso privilegje si të vazhdimisht të pagesës edhe për një vit siç janë privilegjet në sistemet e pensioneve për deputetë do të duheshin të reduktoheshin në mënyrë që qytetarët ta ndjejnë në këtë vend barazinë. Në një shtet ku të gjithë qytetarët trajtohen barabartë dhe jo dikush i privilegjuar dhe dikush i diskriminuar”, thotë ai.
Në anën tjetër, monitoruesi i punës së Kuvendit, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress, se deputetët gëzojnë këto privilegje si rrjedhojë e Ligjit për Drejtët dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili është miratuar në vitin 2010.
Sipas tij, këto privilegje i gëzojnë për 12 muaj, pasi ta kryejnë mandatin, me kusht që nuk kanë të hyra të tjera gjatë kësaj kohe.
Megjithatë, ai thotë se për pagë kalimtare në Kuvend, kanë aplikuar edhe deputetë që janë rizgjedhur, pasi ata nuk do të kishin pagë deri sa të konstituohet Kuvendi i ri.
Jakaj: Deputetët e rizgjedhur aplikuan për pagë kalimitare në mënyrë që mos të mbesin pa të
“Kur është miratuar Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit në vitin 2010 është paraparë edhe paga kalimtare në periudhën prej 12 muaj pas mbarimit të detyrës. Në kuptimin nëse japin dorëheqje apo nuk rizgjidhen deputetë apo për arsye të tjera. Deputetët kanë të drejtë të marrin këtë pagë kalimtare nëse nuk rizgjidhen deputetë. Shumica prej tyre që janë zgjedhur, kanë aplikuar për pagë kalimtare, pasi Kuvendit i ka përfunduar mandati me 22 mars 2025 dhe ata nuk do të kenë pagë deri sa të konsituohet Kuvendi i ri. Meqenëse Kuvendi i ri nuk duhet se kur do të konstituohet, deputetët e shfrytëzojnë këtë periudhën ndërmjet konstituimit të ardhshëm në mënyrë që mos të mbesin pa një pagë”, thekson Jakaj.
Privilegje më të mëdha kanë ish-presidentët e Kosovës, ku pas përfundimit të angazhimit të tyre në këtë pozitë, marrin 70 për qind të pagës së tij.