Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 92 vota pro deklaratën e përbashkët për “Pafajësi për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kërkesa për votimin e kësaj deklarate në mbështetje të 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së, për të cilët në Prokuroria në Hagë ka kërkuar në total 180 vite burg, u propozua nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Ky u fundit u shpreh se kjo deklaratë është në konsekuencë të plotë me qëndrimet e Partisë Socialiste në 35 vite sa i përket çështjeve që lidhen me Kosovën, me pastërtinë e luftës së UCK në Kosovë dhe që lidhen me faktet që çuan në krijimin e kësaj gjykate dhe për fat të keq dhe në këtë kërkesë përfundimtare të prokurorisë speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.

“Sikur sot të ishte gjallë heroi ynë kombëtar Adem Jashari dhe ai duhej të dënohej me 45 vite burg sepse luftoi për lirinë e vendit të vetë. Nuk ka asnjë dyshim për gjithë kombet e lira se është një batërdi e tmerrshme dhe një baltë në vijim të baltave që janë hedhur në 27 vite kundër luftës çlirimtare në Kosovë”, deklaroi Balla.

Gjatë prezantimit të deklaratës në Kuvend, deputeti Igli Hasani u shpreh se Parlamenti i Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Sipas tij, Kuvendi rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, që luftoi për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai theksoi se ekziston rreziku i shtrembërimit të historisë, duke barazuar luftën e UÇK-së me krimet e regjimit të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh mbështetje të plotë për ish-drejtuesit e UÇK-së dhe kërkon që procesi në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm, pa cenuar dinjitetin e luftës çlirimtare. Po ashtu, nënvizohet legjitimiteti i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe vlerësohen dëshmitë e figurave ndërkombëtare që kanë mbështetur kauzën e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cënon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Wesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.

Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

Angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cënohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë“, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, Hasani shprehu solidaritetin e Kuvendit me popullin e Kosovës dhe angazhimin për ndërmarrjen e hapave diplomatikë për mbrojtjen e së vërtetës historike, ndërsa u bëri thirrje institucioneve shqiptare dhe atyre të Kosovës për bashkëpunim dhe koordinim në arenën ndërkombëtare.

Miratimi i kësaj deklarate të përbashkët nga Kuvendi, vjen pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin me nga 45 vite burg secili, për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi.