Çështja e kompetencave të kryeparlamentarit Dimal Basha pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës për dikë janë të paqarta, e kjo e ka rikthyer në qendër të vëmendjes mënyrën se si funksionon Kryesia në periudha tranzicioni politik.
Ndërkohë që vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe legjislatura aktuale nuk ka prodhuar qeveri, dilemat rreth rolit, përgjegjësive dhe kufizimeve të kryeparlamentarit dhe anëtarëve të Kryesisë janë bërë edhe më të theksuara.
Pikërisht në këtë kontekst, ish-nënkryetarë të Kuvendit ofrojnë interpretime të ndryshme mbi vazhdimin e mandatit të Kryesisë dhe mundësinë e ushtrimit të autoritetit institucional deri në konstituimin e legjislaturës së re.
Xhavit Haliti: Kryesia e Kuvendit i gëzon kompetencat deri në konstituimin e tij, por kjo praktikë është e gabuar
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka folur lidhur me dilemën se a ka të drejtë kryeparlamentari në detyrë, Dimal Basha, të marrë pjesë në ceremoni zyrtare pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës dhe kujt i kalojnë kompetencat në këtë periudhë tranzicioni.
“Deri në themelimin e kuvendit të ri Dimali është kryetar, edhe nënkryetarët kanë mandat të njëjtë si kryetari”, tha ai.
Por ai theksoi se kjo situatë është problematike dhe jo në përputhje me standardet demokratike.
“Që realisht është gabim, dhe në kundërshtim me praktikat e vendeve demokratike”, potencoi Haliti.
Sipas Halitit, mandati i deputetëve nuk do të duhej të ndërpritej në momentin e shpërbërjes së Kuvendit, por të zgjaste deri në konstituimin e legjislaturës së re, për shkak të përgjegjësive të rëndësishme shtetërore që mund të kërkojnë miratim parlamentar.
“Do të duhej, që mandatarët, pra deputetët, të kenë mandat deri në konstituimin e Kuvendit të ri. Janë disa arsye, përderisa Qeveria është në detyrë edhe Qeveria duhet të jetë në detyrë. Vendit mund t’i duhet me u përballur me situata të ndryshme, fatkeqësi natyrore, situatë lufte, etj, për të cilat qeverisë i duhet miratimi i Kuvendit, për marrëveshje ndërkombëtare, shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, shpallje të gjendjes së luftës, dhënien e autorizimeve shtesë presidentit, Qeverisë etj”, shtoi ish nënkryetari i Kuvendit për FrontOnline.
Ai shtoi se ndryshimet ligjore janë të domosdoshme.
“Ligji e rregullorja duhet të ndryshoj.”
Ndërkohë, pasi sqaron se Kryesia aktuale i mban të gjitha kompetencat derisa të formohet Kuvendi i ri, Haliti paralajmëron se përdorimi i resurseve të institucionit në këtë periudhë mund të jetë i paligjshëm.
“Pra Kryesia e Kuvendit aktualisht gëzon të gjitha kompetencat e privilegjet derisa të konstituohet kuvendi i ardhshëm. Përdorimi i infrastrukturës së Kuvendit (veturave, këshilltarëve, buxhetit, karburanteve dhe fuqinë e Kryetarit) është keqpërdorim e korrupsion”, përfundoi ai.
Aida Dërguti: Kryesia e Kuvendit mbetet funksionale deri në seancën konstituive, por situata aktuale është “e përçudnuar”
Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, për FrontOnline, ka komentuar çështjen nëse kryeparlamentari në detyrë, Dimal Basha, ka të drejtë të marrë pjesë në ceremoni zyrtare pas shpërbërjes së Kuvendit dhe se kujt i kalojnë kompetencat në këtë periudhë tranzicioni institucional.
Dërguti tha se, sipas praktikës dhe rregullores së vjetër të Kuvendit, kryetari dhe Kryesia mbesin funksionalë deri në ditën e mbledhjes së fundit, atë të konstituimit të Kuvendit të ri.
“Dimali deri në ditën kur e mban mbledhjen (e fundit) për konstituimin e kuvendit të ri, bashkë me kryesinë janë funksional. Së paku kështu ka qenë me rregulloren e vjetër”, deklaroi ajo për FrontOnline.
Ajo shtoi se, në rrethana të jashtëzakonshme, është e mundur që edhe Kuvendi i kësaj legjislature të mblidhet për të marrë vendime të domosdoshme, ndonëse një gjë e tillë është e pazakontë.
“Në rrethana të jashtëzakonshme edhe kuvendi i kësaj legjislature mund të mblidhet për të marrë vendime”, tha Dërguti.
Megjithatë, ajo theksoi se situata aktuale është joprecedent dhe e paqartë, pasi Kuvendi nuk ka arritur të prodhojë qeveri, dhe vendi tashmë shkon përsëri në zgjedhje.
“Mirëpo, meqë kjo legjislaturë nuk ka prodhuar qeveri dhe po shkon në zgjedhje, është një situatë e përçudnuar”, përfundoi Dërguti.
Kolë Krasniqi: Kryetari i Kuvendit vazhdon si U.D. pas shpërbërjes dhe mund të marrë pjesë në ceremoni, por pa kompetenca politike
Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, për FrontOnline, ka shpjeguar pozitën kushtetuese të kryeparlamentarit Dimal Basha pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ai mbetet në detyrë në cilësinë e ushtruesit të detyrës deri në konstituimin e legjislaturës së re.
“Po. Sipas praktikës kushtetuese dhe parlamentare në Kosovë, pas shpërbërjes së Kuvendit, kryetari i Kuvendit vazhdon detyrën në cilësinë e ushtruesit të detyrës (në funksion teknik) deri në konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit”, tha ai për FrontOnline,
Ai thekson se ky rol i mundëson kryeparlamentarit të marrë pjesë në aktivitete zyrtare që nuk përbëjnë vendimmarrje politike.
“Kjo nënkupton se ai mund të marrë pjesë në aktivitete ceremonialë, institucionale dhe përfaqësuese, për aq kohë sa ato nuk përbëjnë ushtrim të kompetencave politike ose vendimmarrëse të Kuvendit”, potencoi Krasniqi.
Sa i përket institucionit të Kuvendit, profesori sqaron se shpërbërja e tij ndal funksionin politik të organit.
“Kujt i kalojnë kompetencat pas shpërbërjes së Kuvendit? Kuvendi si organ politik pushon së funksionuari kompetencat e tij legjislative. Pas shpërbërjes, Kuvendi nuk mund të miratojë ligje, rezoluta apo vendime”, theksoj njohësi i legjislacionit.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit mbetet vetëm me detyra teknike dhe administrative.
“Kryetari i Kuvendit vazhdon si U.D. vetëm me detyra teknike si përfaqësim ceremonial dhe institucional dhe veprime administrative të karakterit të vazhdimësisë (jo politike)”.
Ai shpjegon edhe rolin e Presidentes gjatë kësaj periudhe tranzitore.
“Kompetencat politike i ‘kalojnë’ faktikisht Presidentes së Republikës, e cila siguron funksionimin kushtetues të institucioneve dhe monitoron periudhën tranzitore”, potencoi ai.
Krasniqi konstaton se Dimal Basha ka të drejtë të marrë pjesë në ceremoni si U.D. i Kryetarit të Kuvendit, sepse funksioni i tij nuk shteron automatikisht me shpërbërjen e Kuvendit.
“Z. Dimal Basha ka të drejtë të marrë pjesë në ceremoni si U.D. i Kryetarit të Kuvendit, sepse funksioni i tij nuk shteron automatikisht me shpërbërjen e Kuvendit”, u shpreh Krasniqi.
Megjithatë, ai vendos një kufi të qartë.
“Megjithatë, ai nuk ka të drejtë të ndërmarrë vendime politike, procedurale apo institucionale që i takojnë Kuvendit të konstituuar”, tha ai për Front Online.











