Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë themelon Komitetin për Politikë dhe Financa

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës, mirëpo ajo më e rëndësishmja ishte themelimi i Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF).

Para fillimit të seancës, Kryesuesi i Kuvendit, Nasuf Aliu së bashku me Kryetarin e Komunës, Xhafer Tahirin kanë mbajtur një takim me të gjitha subjektet politike, ku është diskutuar për çelësin e përbërjes së KPF-së. Kryesuesi i ka njoftuar për çelësin, i cili do të propozohet. Mirëpo, sipas burimeve brenda takimit, PDK-ja e ka kundërshtuar këtë çelës dhe ka kërkuar që t’i ketë 3 anëtarë në KPF, e jo 2 anëtarë.

Kryesuesi i Kuvendit, Nasuf Aliu në seancë të kuvendit e propozoi këtë çelës (formulë) lidhur me përbërjen e KPF-së  :

Kryesuesi i kuvendit me automatizëm (sipas legjislacionit në fuqi), PDK- 2 anëtarë, VV-2 anëtarë, LDK- 2 anëtarë, AAK- 1 anëtar dhe LB- 1 anëtar. PDK-ja në fillim e kundërshtoi këtë çelës, mirëpo më vonë u pajtua me këtë. Ndërkaq, Nezir Klinaku, nga Lëvizja për Bashkim (LB) deklaroi se: “Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimi Administrativ për Procedurën e Themelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komunë parasheh përfaqësim të entiteteve politike.

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë njëzëri votoi themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa me këtë përbërje:

  1. Nasuf Aliu -kryesues i kuvendit
  2. Shpëtim Zhegrova-  PDK
  3. Melihate Basholli Latifi -PDK
  4. Ymer Haradinaj – VV
  5. Fjolla Ujkani- VV
  6. Shkëlzen Feka- LDK
  7. Rrezarta Krasniqi- LDK
  8. Lutfi Bilalli- AAK dhe
  9. Nezir Klinaku – LB.

Çështjet tjera që u shqyrtuan ishin edhe Draft-plani i punës së kuvendit, draft-plani i punës së  kryetarit të komunës, plani i veprimit mbi rekomandimet e auditorit të përgjithshëm, formimi i komisionit për ndarjen e bursave për studentë dhe shpërblime për nxënës, propozim-vendimi për shndërrimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore si dhe themelimi i grupit joformal të grave, të cilat njëzëri u votuan.

Po ashtu, në këtë mbledhje u betuan edhe anëtarët e rinj të kuvendit komunal: Kushtrim Hyseni (PDK), Faton Shabani (VV),Agim Bregaj (LDK) dhe  Basri Menxhiqi (AAK).