Kuvendi i Komunës së Prishtinës merr këtë vendim për Liqenin e Badovcit

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me ndërtimin një lagjeje buzë Liqenit të Badovcit, raporton “Zëri.info”.

Seanca e cila u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës kaloi me polemika dhe e zhurmshme mes asamblistëve opozitarë kundrejt ekzekutivit.

Me 24 vota ‘për’, 1 ‘kundër’ dhe me 2 ‘abstenime’, kuvendarët komunalë të Prishtinës votuan për propozimin e planit zhvillimor komunal për zonën 1.2.3, për mbrojtjen në pjesën e Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit në këtë zonë, planin zhvillimor komunal, hartën zonale.

Po ashtu me 27 vota për, 2 kundër dhe me një abstenim u votuan edhe rekomandimet për mbrojtjen e liqenit, me kërkesë që komuna e Prishtinës në bazë të akteve ligjore në fuqi të anulojë kushtet ndërtimore të lëshuara në pjesën e liqenit të Badovcit 26/12/2019. Të fillojnë procedurat që zonën përreth liqenit të Badovcit e cila nuk është e përfshirë në peizazh të mbrojtur të bashkohet me peizazhin e mbrojtur me parkun regjional të Gërmisë.