Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka lavdëruar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalimit të tij në kuvendin e AAK-së, pas shpalljes së kandidaturës për kryetar të partisë.
Gjini tha se Haradinaj nuk ka qenë vetëm udhëheqës partie, por simbol i lirisë dhe i politikës së mençur në Kosovë, duke theksuar kontributin e tij në procesin e çlirimit dhe shtetndërtimit.
“Po e kërkoj besimin tuaj pas Ramush Haradinajt, duke e ditur që Ramush Haradinaj nuk ka qenë vetëm kryetar partie, është simbol i Kosovës, është simbol i lirisë, por është edhe simbol i politikës së mençur dhe normale që ka ndodhur në Kosovë”, deklaroi Gjini.
Ai shtoi se angazhimi i Haradinajt për çlirimin e Kosovës kishte nisur shumë kohë para luftës.
“Për 30 vite edhe më shumë, edhe për vitet që ndoshta ne nuk i dimë, por i kemi dëgjuar në biseda, duke na treguar disa njerëz seriozë, njerëz më seriozë në botë, që na treguan që edhe kur ne nuk e kemi ditur se çka po ndodhë në Kosovë, dikush ka qenë duke biseduar me Ramushin se si të çlirohet vendi”, tha ai.
Gjini u shpreh i bindur se historia e Ramush Haradinajt dhe e familjes së tij do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
“Krejt çka do mbahet mend është ajo që kemi lënë pas. E çka lëmë pas unë po u them se do të jetë e shkruar me shkronja të arta. Jam i bindur që nuk ka përfunduar kryetar Haradinaj, jam i bindur që nuk ka përfundu shkrimi i historisë që e ka bërë Ramush Haradinaj me familjen e tij për Kosovën”, u shpreh Gjini.









