Kushtetuesja: Vetëm shumica e deputetëve serbë mund të propozojnë emra për nënkryetar

Gjykata Kushtetuese ka bërë publik tekstin e plotë të aktgjykimit në lëndën e parashtruar nga Igor Simiq, së bashku me nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se procedura për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, përkatësisht, vendimi me numër 09-V-071 i Kuvendit, i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e deputetit Rashiq nënkryetar të Kuvendit nga radheët e komunitetit serb nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës “Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve”, në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të dhe paragrafit 7 të nenit 12 “Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit” të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja ka vlerësuar se propozimi për nënkryetarin nga komunitetit serb duhet të bëhet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb apo të komuniteteve tjera që nuk janë shumicë.

“Gjykata thekson se një vlerësim i tillë bazohet mbi parimet e përcaktuara në Kushtetutë, praktikën e saj gjyqësore dhe Rregulloren e Kuvendit, sipas së cilave, ndër të tjera, rezulton se: (i) njëri nga 2 (dy) nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend, është nga deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb; (ii) propozimi bëhet (a) me shkrim (b) nga shumica e deputetëve të komunitetit serb apo të komuniteteve tjera që nuk janë shumicë; (ii) në anën tjetër, i njëjti zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, ngase shmangia nga ky standard kushtetues cenon legjitimitetin kushtetues të procesit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në rrethana specifike, ekziston mekanizmi debllokues i procedurës së shortit që mund të përdoret në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas procedurës së lartcekur nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, i zhvilluar në prani të tyre, dhe i administruar nga Kryetari i Kuvendit”, thuhet në pikën 143 të vendimit.

Për më tepër, Gjykata rithekson se kjo ka rëndësi të veçantë për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kuvend dhe në Kryesinë e Kuvendit, të cilat thuhet se nuk kanë numrin e nevojshëm të votave për të zgjedhur, pa mbështetjen e deputetëve të tjerë, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit.

Kushtetuesja në aktgjykim ka theksuar se nuk mun dtë konstatojë se procedura e shortit e aplikuar nga Kryetari i Kuvendit Dimal Basha është përdorur në pajtim më frymën dhe qëllimin për të ciliën është paraparë.

“Marrë parasysh rrethanat e lartcekura, Gjykata nuk mund të konstatojë se në rrethanat e rastit konkret, mekanizmi debllokues sipas paragrafit 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, respektivisht, procedura e shortit është përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilën e njëjta është paraparë. Kjo për arsye se zbatimi i këtij mekanizmi në një mënyrë që do të çonte në rrethana ku shumica e deputetëve të Kuvendit përcakton se kush do të jetë përfaqësuesi i një komuniteti që nuk është shumicë pa propozimin e këtyre të fundit, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në aktgjykim.

Sipas Gjykatës, pasi që shumica e deputetëve serbë kishin propozuar 9 kandidatë për nënkryetar dhe se ata kishin marrë pjesë në votimin e tyre përfshirë edhe votimin kundër deputetit Rashiq, nuk  nuk ishin plotësuar kushtet për aktivizimin e mekanizmit debllokues të procedurës së shortit.

“Për më tepër, Gjykata rikujton rrethanat faktike në Aktgjykimin e saj në rastin KO265/25, me ç’ rast, shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb kishin refuzuar propozimin e kandidatëve tjerë përveç kandidimit të deputetit Slavko Simić, procedura e votimit për të cilin kishte dështuar gjithsej 3 (tri) herë, si dhe faktin se të njëjtit nuk kishin marrë pjesë në votim gjatë procedurës së shortit të zhvilluar nga Kryetari i zgjedhur i Kuvendit (shih, rastin KO265/25, cituar më lart, paragrafi 148). Për dallim nga kjo, në rrethanat e rastit konkret, përfaqësuesi i shumicës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, ashtu siç është theksuar edhe më lart, kishte propozuar me shkrim dhe verbalisht 9 (nëntë) kandidatët nga radha e deputetëve të kësaj shumice sipas procedurës së përcaktuar në nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të njëjtit morën pjesë në votimet e zhvilluara më 10 tetor 2025, përfshirë votimin kundër deputetit Nenad Rashiq, për çka edhe Gjykata ka ardhur në konkluzionin se nuk janë plotësuar kushtet për aktivizimin e mekanizmit debllokues të procedurës së shortit, të përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në vendim.

Aktgjykimi i plotë