Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Telekomit kundër “Dardafon” për rastin e Arbitrazhit

Pas më shumë se gjashtë vjetësh, ka marrë fund beteja mes Telekomit të Kosovës dhe “Dardafon” për vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Autoriteti më i lartë kushtetues, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e Telekomit të Kosovës kundër aktgjykimit të datës 8 korrik 2024 të Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

Komercialja, në aktgjykimin e vet të korrikut 2024, i ka dhënë të drejtë “Dardafon”-it për njohjen dhe shpalljen të ekzekutueshme të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, të njohur nga Gjykata Komerciale, Telekomi detyrohet që t’ia paguajë “Dardafon”-it shumën prej afër gjashtë milionë euro në formë dëmshpërblimi për shkak mosmarrëveshjeve kontraktuale në të kaluarën.

Kushtetuesja, në aktvendimin e publikuar të mërkurën, ka vlerësuar se kërkesa e Telekomit është e papranueshme.

“Në rastin konkret, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme”, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses.

“Pala kundërshtare Dardafon.net L.L.C., ka qenë palë ndërgjyqëse që ka fituar rastin në procedurë pranë arbitrazhit ndërkombëtar. Pra, në këtë rast bëhet fjalë mosmarrëveshje ndërmjet palëve ndërgjyqëse që është zgjidhur nga arbitrazhi ndërkombëtar, që në asnjë rrethanë nuk ka të bëj me diskriminim jo vetëm të parashtruesit të kërkesës por me diskriminim në përgjithësi”, thuhet në aktvendim.

Sipas Kushtetueses, barra e të provuarit për “trajtim diskriminues bie mbi parashtruesin e kërkesës [Telekomin, v.j] çka bazuar në shkresat e lëndës është evidente se pretendimin për diskriminim ai nuk e ka provuar”.

Tash e disa vjet, Telekomi është përpjekur në çdo formë të anulojë vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar për kontestin e saj me “Dardafon”.

Për këtë lëndë, Telekomi vitin e kaluar paraqiti revizion në Gjykatën Supreme me qëllim të anulimit të Vendimit të Arbitrazhit, por as kjo nismë e ndërmarrjes nuk rezultoi e suksesshme.

Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Parë vlerësoi se paraqitja e revizionit në Gjykatën Supreme nuk përbën bazë për ndërprerje të procedurës për njohje dhe shpallje të ekzekutueshëm të Vendimit të Arbitrazhit.