Gjykata Kushtetuese i ka dërguar një letër Kuvendit të Kosovës për të kërkuar komentet e deputetëve lidhur me ankesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e partive joshumicë. Ajo që bie në sy është fakti se letra nuk iu drejtua tashmë Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, por Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi.
Kallxo.com ka siguruar këtë letër nga burime zyrtare, ku shihet se Kushtetuesja i drejtohet drejtpërdrejt Loshit për komentet që, sipas procedurës, duhet të merren nga deputetët në lidhje me ankesat e dërguara në Gjykatë, në këtë rast për ankesën e Listës Serbe. Përveç komenteve kërkohet edhe dokumentacioni tjetër i seancave, përfshirë transkriptet e vendimet.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm, Arben Loshi, të cilit iu drejtua kërkesa e Kushtetueses, tha se, kur Kuvendi është i konstituar, komentet e deputetëve kërkohen nga Kryetari i Kuvendit, ndërsa dokumentacioni përcjellës nga Sekretari i Përgjithshëm.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë rast, pasiqë të dyjat i janë kërkuar Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm. Në kërkesën që i është dërguar zv.Sekretarit, Kushtetuesja ka kërkuar edhe shpërndarjen për komente te deputetët edhe transkriptet e seancave.
“Prej përfundimit të legjislaturës së tetë, të gjitha shkresat janë dërguar te unë dhe unë i kam përcjellë tek deputetët. Sa herë që kërkohet dokumentacion nga Kuvendi, ai kërkohet prej meje. Në rastet kur Kuvendi është i konstituar dhe kërkohen komente nga Kushtetuesja, ato u dërgohen Kryetarit” – tha Loshi për Kallxo.com.
Kur u pyet sërish nëse kjo nënkupton që Gjykata Kushtetuese nuk po e konsideron Kuvendin si të konstituar, Loshi u përgjigj: “Nuk e besoj për ata, por i kanë lyp vetëm komentet prej deputetëve dhe i kanë lypë prej meje dokumentacionin e seancave dhe me shpërnda krejt me dokumentet e Listës Serbe që me ia përcjell deputetëve”.
Ai përsëriti se: “Kur Kuvendi është i konstituar, kërkesat për komente i dërgohen Kryetarit për t’ua përcjellë deputetëve, ndërsa mua të dërgoj dokumentet”.
“Luteni që një kopje të këtyre kërkesave t’ua shpërndani të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjithashtu, ju lutemi t’i njoftoni të gjithë deputetët se mund të paraqesin komentet e tyre, nëse kanë, jo më vonë se më 9 shtator 2025”- shkruan në kërkesën e Kushtetueses drejtuar Loshit.
Poashtu, në paragrafin mëposhtë kërkohen edhe dokumentet relevante në lidhje me këtë çështje, përfshirë transkriptet e seancave dhe vendimet që janë marrë prej kur ka hyrë në fuqi Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses.
Në Aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja kishte kërkuar nga deputetët që “të zgjedhin Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konsituive brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij Aktgjykimi”.
Lista Serbe në kërkesën që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, ka kërkuar që votimi për nënkryetarët nga partitë e komuniteteve joshumicë të kthehet në pikën zero, të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, apo thënë ndryshe në “pako”, dhe të vendoset masë e përkohshme, në mënyrë që mos të hapet rrugë për rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.
Në kërkesën e Listës Serbe të cilën e ka siguruar Kallxo.com përmes burimeve zyrtare, kjo parti ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta pranojë kërkesën si të bazuar, nën arsyetimin se është bërë në pajtim me nenin 113 paragrafi 5, dhe është parashtruar nga dhjetë deputetë.
Lista Serbe ka kërkuar që Kushtetuesja të konstatojë se Kryetari i Kuvendit ka shkelur nenin 67, paragrafin 4 të Kushtetutës dhe nenin 12, paragrafin 6, pika 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, si dhe, se ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitivin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese KO119/14, KO124/25 dhe KO193/25 dhe K0196/25.
Në kërkesën e Listës Serbe kërkohet që Kushtetuesja të konstatojë se “Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, së pari i ka ftuar komunitetet e tjera jo-shumicë të bëjnë propozimin, edhe pse në Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit është përcaktuar qartë se propozimi i parë para komuniteteve jo-shumicë paraqitet nga komuniteti serb.”
Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll nga kryetari Dimal Basha anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”- tha Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha gjatë mbylljes së seancës
Emilja Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga partitë joshumicë joserbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ekipi i saj ligjor është duke zhvilluar një analizë mbi procesin e konstituimit të Kuvendit.
Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”. Kurse, Rregullorja e Kuvendit parasheh që kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Ish-partitë e bllokut opozitar nuk ia dhanë votat deputetit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq me arsyetimin që forma qysh po vepron Kryetari i Kuvendit nuk është kushtetuese.
Ndërkohë, Lista Serbe nuk pranoi kandidat tjetër pos Sllavko Simiqit, emri i të cilit është propozuar tri herë dhe nuk ka marrë votat e mjaftueshme.
Votat nuk i kanë marrë as tetë deputetët tjerë t’u zgjedhur nënkryetar. Si rrjedhojë, pas tri raundeve të gjithë janë eliminuar nga gara.
Seanca konstituive ishte hapur më 15 prill 2025.