Kushtetuesja i shfuqizon 12 ligje të Qeverisë Kurti

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur antikushtetuese 12 ligje të miratura në Kuvend, nga shumica parlamentare e Qeverisë Kurti, gjatë legjislaturës së kaluar. Ndërsa vetëm 3 prej tyre, nga 15 për të cilat ishte ankuar PDK-ja në Gjykatë Kushtetuese, i ka lënë në fuqi në fuqi, duke kaluar kështu testin e kushtetutshmërisë, shkruan Reporteri.net.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Gjykata me 5 vota për, dy kundër, ka konstatuar se 12 vendime të Kuvendit, përmes të cilave ishin miratuar ligje të Qeverisë Kurti, nuk janë në përputhshmëri me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetues së Kosovës. Ndërkohë, 3 ligjet tjera, ai për Bankat, Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Gjykatën Administrative janë vlerësuar kushtetuese.

Ligjet e shfuqizuara janë: Ligji për Shërbimet e Pagesave; Ligji kundër dukurive negative në sport; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit; Ligji për provimin e maturës shtetërore; Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm; Ligji për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim; Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale; Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore; Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore; Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore; si dhe Ligji për Lojërat Mesdhetare.

Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi gjatë miratimit të 12 ligjeve antikushtetuese, të gjitha të hartuara nga Qeveria Kurti sipas zotimeve dhe programit të saj politik, shkeli nenin kushtetues që rregullon formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit në vend; atë që përcakton vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; nenin që rregullon ushtrimi i funksionit të të zgjedhurve të popullit; atë që rregullon funksionimin e Kuvendit sipas rregulloreve të punës; dhe nenin e Kushtetutës që rregullon dhe përcakton rolin e komisioneve parlamentare në Kuvend. /Reporteri.net/.