Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar sot me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, me të cilin ka diskutuar rreth “zhvillimeve të fundit që prekin institucionet shtetërore”
Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves tha se në takim është folur për stabilitetin institucional dhe nevojën për rikthim të shpejt te qeverisja stabile.
“Sot u takova me Presidentin e Gjykatës Kushtetuese Nexhmi Rexhepi. Diskutuam zhvillimet e fundit që prekin institucionet e Kosovës. Shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit partitë politike dhe deputetët do të veprojnë në frymën e Kushtetutës, në mënyrë që të rikthehet shpejt qeverisja stabile dhe funksionale”, ka thënë ai
Hargreaves ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e stabilitetit politik në vend, sidomos në periudha tranzicioni, duke kërkuar përgjegjësi dhe veprim të shpejtë institucional nga të gjitha palët politike.
Më 16 tetor Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës e Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Ankesa e dorëzuar nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, vazhdon të jetë në proces shqyrtimi.
“Kjo kërkesë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Për çdo vendim të Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi i ri i Kosovës u shpall i konstituuar më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. I njëjti u shpërnda javën që shkoi pasi VV edhe pas dy tentimeve nuk arriti ta formojë qeverinë.











