Nenad Rashiq nuk mund të jetë nënkryetar as në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit, por këtë pozitë duhet ta ushtrojë një deputet nga Listës Serbe, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të shpallur të mërkurën. Kjo nënkupton se, nëse Vetëvendosje nuk e merr me urgjencë çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe nuk e voton pa bllokada nënkryetarin e propozuar nga Lista Serbe, atëherë Kuvendi nuk formohet dhe rrjedhimisht nuk mund të zgjidhet as presidenti. Në këtë skenar, rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi me 28 janar 2026 se, zgjedhja e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Edhe pse Gjykata ka theksuar se vendimi nuk ka efekt prapaveprues, ai vendos një standard të qartë për legjislaturën e ardhshme.
Sipas Kushtetueses, e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij komuniteti.
Në rastin konkret, Rashiq nuk ishte propozuar nga shumica e deputetëve serbë, ndërsa nuk kishte as refuzim formal nga ana e tyre për ta ushtruar këtë të drejtë.
“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, u tha në aktgjykimin e Kushtetueses.
Organi më i lartë i drejtësisë në Kosovë tha se mekanizmat zhbllokues, sikurse hedhja vetëm deri në tri herë në votim e një emri dhe procedura e shortit, “duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit”, në mënyrë që brenda afatit 30-ditor të konstituohet organi ligjvënës.
Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.
Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.
Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.
Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që t hapej rruga për formimin e Qeverisë.
Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.
Ai u votua me 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime.
Pro Rashiqit kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndersa abstenuan ata të Partisë Demokratike të Kosovës, kurse kundër ishin deputetet e Listës Srpska.
Kësisoj, Nenad Rashiq nuk mund të jetë nënkryetar as në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, por këtë pozitë duhet ta mbajë një kandidat i Listës Serbe.
LVV, ndërkohë do të ndodhet përballë votimit të kandidatit të propozuar nga Lista Serbe, apo të zvarrisë më tej çështjen.
Situata politike ndërlikohet edhe më tej për shkak të rinumërimit të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, proces që pritet të zgjasë deri në fillim të shkurtit.
Çdo vonesë në certifikimin e rezultateve nënkupton shtyrje të konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.
Duke pasur parasysh se mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill, institucionet do të kenë një hapësirë kohore jashtëzakonisht të ngushtë për të përmbyllur këto procese.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë dhe presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kosova rrezikon të futet në një cikël të ri zgjedhor./Paparaci










