Kush qëndron pas tregtisë me energji elektrike?

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu, në “Edicionin Special” në Klan Kosova tha se ZRrE nuk ka nxjerr vendim formalisht për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Sipas, Fetahut, ZRre do të duhej të bënte liberalizimin e tregut të energjisë elektrike vetëm kur të kishte një raport hetimor nga ana e Agjencisë Kosovare për mbrojtjen e konkurrencës.

“ZRrE nuk ka nxjerr vendim formalisht, por edhe ne faqet e ZRrE nuk e ka një vendim të tillë për një çështje kaq kapitale të fushës së energjisë, për atë të tregut të lirë. Kjo është bërë me qëllim t’i iket betejës gjyqësore”, tha Fetahu.

Ndër tjerash,Fetahu ka paralajmëruar se do të marrin masa për rastin e Luan Dalipit, shefit të kabinetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të cilin tha se kompaninë “NDA” ia ka transferuar vëllait të tij.

“Natyrisht ne gjatë ditëve të vijim do t’i verifikojmë të gjitha informatat tjera, pastaj do t’iu referohemi organeve kompetente. Meqë jemi në fazën e verifikimit të informative e di që ky proces duhet të rezultojë me një aktakuzë të fuqishme dhe profesionale, dhe që i bën përgjegjës njerëzit, për vëllain dhe për përfshirjen e njërit prej zyrtarëve më të lartë qeveritar që është Luan Dalipi”.