Ministria e Punëve të Jashtme ka përzgjedhur kandidatët për zyrtarë diplomatikë. Sipas njoftimit të lëshuar nga MPJ, 15 zyrtarët e rinj që do të punojnë në misione diplomatike janë Shtrojerë Zogaj, Arjola Caka, Liridon Bajrami, Viktor Mehana, Gjenis Haxhimehmeti, Meridiana Leci, Kushtrim Kokollari, Fatlinda Prestreshi, Vjosa Sheholli, Elena Osmani, Mentor Halilaj, Faruk Dermaku, Dren Terziqi, Ardita Halilaj dhe Mirlidë Gashi.
MPJ bën me dije se konkursi për zyrtarë të misionit diplomatik është shpallur me 12 Mars 2019 dhe ka qëndruar i shpallur një muaj dhe se për të kanë aplikuar gjithsej 192 kandidatë.
Po ashtu theksohet s Konkursi ka kaluar nëpër tri faza të përzgjedhjes në bazë të Udhëzimit Administrativ 02/2012 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 3/2009 për procedurat e emërimit të kandidatëve për nёpunёs tё Misionit Diplomatik. Këto faza janë:
1. Komisioni përzgjedhës preliminar (3 anëtarë);
2. Testi i Gjuhëve të huaja (Organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK);
3. Paneli Intervistues (5 anëtarë).
MPJ thekson se Procesi i përzgjedhjes së zyrtarëve diplomatikë është ndjekur në bazë të Udhëzimit Administrativ 02/2012 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 3/2009 për procedurat e emërimit të kandidatëve për nёpunёs tё Misionit Diplomatik, i cili është shpallur në ueb faqën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Komisioni përzgjedhës, ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve të cilët i plotësojnë kushtet formale të konkursit të cilat kërkohen edhe me udhëzimin administrativ të lartcekur. Ky komision ka administruar po ashtu edhe testin profesional me shkrim për kandidatët” thekson MPJ.
Ky dikaster njofton po ashtu se testi i gjuhëve të huaja është organizuar në gjuhë angleze dhe gjermane dhe se është administruar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK si dhe bëhet e ditur se rezultatet e testit i janë dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme pas përfundimit të këtij procesi. Pra në këtë fazë Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pasur asnjë kompetencë të vendosjes.
Duke shpjeguar më tej procedurat MPJ thekson se testi i gjuhëve dhe rezultatet nga ky test sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 3/2009 për procedurat e emërimit të kandidatëve për nёpunёs tё Misionit Diplomatik janë llogaritur në kuadër të testit me shkrim.
Pasi ka përpunuar faza e parë (testi me shkrim dhe testi i gjuhëve), nga gjithësejt 92 kandidatë që janë ftuar në këtë fazë, në fazën tjetër kanë kaluar vetëm 42 kandidatë. Këta 42 kandidatë i janë nënshtruar intervistës me gojë, e cila është mbajtur nga paneli intervistues i përbërë prej 5 (pesë anëtarëve).
“Pas përfundimit të procesit të intervistimit me gojë nga paneli intervistues, është bërë përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve. Në poentimin e kandidatëve të suksesshëm janë llogaritur rezultatet e testit me shkrim në kuadër të të cilit ka qenë i përfshirë edhe testi i gjuhëve të huaja dhe intervistës me gojë dhe në fund ka dalë rezultati përfundimtar i kandidatëve” thekson MPJ.
“ Edhe njëherë duam të theksojmë se i gjithë procesi ka qenë një proces korrekt dhe meritor, si në kuptimin e vlerësimit dhe atë procedural. Për më tepër procesi i vlerësimit në gjuhët e huaja është kryer dhe menaxhuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të cilët në mënyrë të saktë dhe objektive kanë arritur të nxjerrin rezultatin e njohurive të gjuhëve për të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar vlerësimit” pohojnë në MPJ.