Një portal i dënuar disa herë për shpifje, i denoncuar për gënjeshtra dhe i etiketuar si “shtyp i verdhë”. Një histori e shkurtër për portalin ‘Slobodna Bosna’ dhe Senad Avdiqin, kryeredaktorin e saj të dënuar po ashtu për shpifje. Kush qëndron prapa portalit që pushteti e shfrytëzoi për të goditur mediat kritike ndaj saj në Kosovë?
“I njëjti portal ka humbur vazhdimisht mosmarrëveshjet për shkak të shpifjeve ndaj Radonçiqit”.
Kështu shkruhej në një artikull të publikuar 2020 nga e përditshmja boshnjake me bazë në Sarajevë, ‘Dnevni Avaz’, bazuar humbjeve të rasteve për shpifje në gjykatë të revistës së përjavshme ‘Slobodna Bosna’.
‘Slobodna Bosna’, një revistë e përjavshme boshnjake, e bazuar në Sarajevë, nuk është asgjë më shumë sesa një medium i diskredituar.
Në Bosnjë e Hercegovinë, ‘Slobodna Bosna’, me kryeredaktor Senad Avdiqin, është ballafaquar me disa padi për shpërndarje të gënjeshtrave dhe shpifjeve. I ka humbur disa raste në gjykata.
Siç shkruante ‘Dnevni Avaz’, në një artikull të vitit 2020, kryeredaktori i ‘Slobodna Bosna’ ishte “dënuar përsëri për shpifje” për shkak të gënjeshtrave për Fahrudin Radonçiqin, ish-ministrin e Sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës.
Dokumentin e vendimit të Gjykatës Komunale në Sarajevë e kishte publikuar Dnevni Avaz.
Në aktvendimin e Gjykatës së Sarajevës thuhet se ‘Slobodna Bosna’ është urdhëruar t’i paguajë 1000 marka konvertibile (MK) Fahrudin Radonçiqit në emër të “kompensimit për dëmet jomateriale për shkak të dëmtimit të nderit dhe reputacionit të shkaktuar nga shpifja”.
Në arsyetimin e aktgjykimit, ndër të tjera thuhet se në tekste janë shkruar të pavërteta që i kanë shkaktuar dëm paditësit. Bëhej fjalë për tekstet që ishin publikuar në portalin ‘Slobodna Bosna’ më 16 dhe 25 mars të vitit të kaluar, në të cilat shkruhej pabazë dhe paargumente se Radonçiq i detyrohej obligime tatimore shtetit.
Megjithatë, sipas dëshmive nga Administrata Tatimore në Vogoshçë, është e qartë se Radonçiq nuk ka obligime tatimore, raportonte ‘Dnevni Avaz’.
Kjo nuk ishte e vetmja shpifje në të cilën ishte përfshirë portali i Senad Avdiqit.
Po ashtu në vitin 2020, Dnevni Avaz shkruante sesi brenda pak ditësh portali ‘Slobodna Bosna’ e kishte publikuar një lajm të rremë dhe pastaj përmes një “faksimile e demantonte veten”.
“Çfarë po ndodh në portalin SB: Kanë publikuar një lajm të rremë dhe një faksimile me të cilën demantojnë veten!?”, shkruante Dnevni Avaz, në një artikull në të cilin denonconte gënjeshtrën e përhapur nga ‘Slobodna Bosna’.
Në këtë rast, portali i Avdiqit citonte rrejshëm Dnevni Avaz kinse e përditshmja me bazë në Sarajevë kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj një biznesmeni me emrin Nermin Allesheviq. Në fakt, gazeta kishte raportuar se ai ishte marrë në pyetje si i dyshuar nga Prokuroria.
“Por, për fat të keq për ata pak lexues që vizitojnë këtë portal, kjo nuk është hera e parë dhe padyshim as e fundit që publikojnë lajme të rreme”, shkruante Dnevni Avaz për portalin Slobodna Bosna.
Pikërisht ky portal është shfrytëzuar nga pushteti në Kosovë për t’i goditur paturpësisht mediat kritike ndaj saj. Kjo ka ngjarë të hënën kur ‘Slobodna Bosna’, në një artikull pa asnjë fakt e pa asnjë standard etike, publikoi një artikull me kinse informata sesi dy portale në Kosovë janë financuar nga Millan Radojçiqi.
Artikulli origjinal, pra në gjuhën boshnjake, u shpërnda nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në rrjetin social Facebook.
Pak më vonë gjatë mbrëmjes të hënën, i njëjti artikull u botua i përkthyer në gjuhën shqipe – pa asnjë ndërhyrje – në portalin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Aty shkruhej pa asnjë bazë, por “bazuar në informacione..” se portali Periskopi në Kosovë është “i kontrolluar drejtpërdrejt nga Radojçiqi” dhe se te portali tjetër kritik ndaj qeverisë, Nacionale, “është përfunduar një transaksion milionësh”.
I njëjti artikull, i botuar në platformën online të Transmetuesit Publik, është shpërndarë nga të tjerë eksponentë të pushtetit. Madje, Dejona Mihali, zyrtare e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, ftoi sot Prokurorinë që të nisë hetime për rastin.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile e medias në vend e dënuan veprimin e RTK-së./Paparaci.com