Kandidati për kryetari të Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti ka treguar arsyet pse partia e tij pati një rënie të theksuar në rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Mendoj se duhet të kthehemi te rezultati i nëntë shkurtit, për të parë se çka bëmë e çka nuk bëmë” u shpreh Hoti.
“Nuk arritëm të konsolidohemi si parti politike, e kam fjalën në konsolidimin e ofertës së qartë për qytetarët, të bërit opozitë edhe si ekip. Kemi pas zëra të qartë në opozitë, por s’kemi arritur ta konsolidojmë opozitarizmin për t’i dalë në ballë një propagande të egër. Këtu mendoj se kemi dështuar si lidership aktual”, deklaroi Hoti në T7.
“Pas nëntë shkurtit nuk arritëm të konsolidohemi fare si parti”, shtoi ish-kryeministri.
Sipas Hotit, përgjegjës është kryetari i partisë, në rastin konkrete, Lumir Abdixhiku.
“Fajtor është komplet lidershipi, në krye me kryetarin e partisë dhe kjo përgjegjësi merret përsipër nga kryetari”, tha Hoti, duke thënë që edhe kryesia merr përgjegjësinë për këtë dështim në këtë proces.
“Por në politikë, kryetari e merr përgjegjësinë kryesore, sepse ai duhet të vejë në funksion gjithë motorin e partisë dhe kjo është përgjegjësia politike”, shtoi tutje Avdullah Hoti, duke rikujtuar se Isa Mustafa pas rezultatit të dobët mori përgjegjësi.










