Kush e lejoi Specialen në shkolla? Komuna e Prishtinës mohon përgjegjësinë

Komuna e Prishtinës është përpjekur të heqë barrën e përgjegjësisë për aktivitetet e Gjykatës Speciale në shkollat e Prishtinës të enjten.

Drejtori komunal i Arsimit, Samir Shahini i ka konfirmuar Paparacit se Gjykata Speciale ka organizuar të enjten ligjeratë me nxënësit e gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, por ka mohuar t’i ketë dhënë gjykatës autorizim për zhvillimin e aktivitetit.

Në një bisedë telefonike me Paparacin, Shahini tha se është në pritje të një raporti zyrtar nga shkolla ‘Xhevdet Doda’.

“Jam duke pritur raport nga shkolla ‘Xhevdet Doda’. Kam biseduar me drejtorin e shkollës dhe po presim raportin zyrtar. I kam pyetur edhe drejtorët e shkollave të tjera dhe në asnjë shkollë tjetër nuk ka pasur ligjërata të tilla, vetëm në ‘Xhevdet Doda’ është raportuar për një aktivitet të tillë. Drejtori ka dhënë disa informata, por presim që shkolla të dalë me një reagim zyrtar”, tha Shahini.

Shahini tha se komuna do të dalë me qëndrim zyrtar sapo të pranojë raportin nga drejtoria e shkollës.

Personeli i Gjykatës Speciale ka zhvilluar të enjten një aktivitet ligjërues me nxënës të gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, raportuan mediat të enjten.

Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale tregon një dokument që përmban logon dhe të dhënat e Gjykatës Speciale e cila u është shpërndarë nxënësve të gjimnazit në ligjërimin e së enjtes.

Dokumenti përshkruhet si formë e vlerësimit e ligjëratës së personelit të Speciales me nxënësit. Bëhet fjalë për një formular i cili u është dhënë nxënësve për plotësim, i cili përmban pyetje rreth aktivitetit ligjërues.

Gjykata Speciale e ka konfirmuar aktivitetin, të cilin e ka quajtur të karakterit informues, me grupe të nxënësve në Kosovë.

Në një përgjigje për portalin Nacionale, zëdhënësja e kësaj gjykate, Angela Griep tha se ligjëratat janë të fokusuara te informatat rreth mandatit dhe procedurat e gjykatës. /Paparaci.com