Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në njoftim zyrtar për operacion e zhvilluar në Tiranë kundër disa Call Center-ëve që dyshohet se mashtronin shtetas të huaj.
Call Center funksiononte në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Nga aty, mashtroheshin kryesisht qytetarë italianë, duke u bindur nga operatorët të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash
SPAK bën me dije se hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Hetimi u nxit edhe nga denoncimet e disa qytetarëve italianë që thanë se ishin mashtruar.
Gazetarët arritën të futeshin në Call Center duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe tregoi nga brenda se si funksiononte skema.
Si vepronte skema e mashtrimit
Sipas SPAK, punonjësit e Call Center-it telefononin viktimat dhe i bindnin të transferonin para në kriptomonedha, duke u premtuar fitime. Në realitet, paratë shkonin në llogari virtuale të kontrolluara nga drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm.
Hetimet tregojnë se drejtuesit kishin vendosur edhe kamera dhe persona që vëzhgonin ambientet nga jashtë, për të sinjalizuar çdo rrezik.
Paralajmërimi dhe zhvendosja e pajisjeve
Ndërkohë në njoftim zyrtar të SPAK, bëhet me dije se mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshohet se u njoftuan për një kontroll të mundshëm, drejtuesit e Call Center-it boshatisën zyrat në “Atti Tower” dhe larguan pajisjet gjatë natës.
Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën 6 persona në flagrancë, teksa po transportonin pajisje kompjuterike drejt një ambienti tjetër në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve po tentoheshin të asgjësoheshin.
Më pas, SPAK ka ndaluar edhe 2 persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj.
Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila merret me Call Center dhe telemarketing.
Gjithashtu bëhet me dije se në pranga kanë rënë 6 persona: Remir Gjoligaj, David Qerimi, Endri Gjata, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, dhe Odeas Kuqi.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente banesa, zyra, makina dhe garazhe janë gjetur dhe sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, kamera sigurie dhe automjete. Mes tyre është edhe një Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve.










