Kusari pas padisë së Pecit ndaj gazetarëve: Gazetarët nuk kanë bërë vepra penale

Juristja e Medias Flutura Kusari ka reaguar ndaj Faton Pecit i cili deklaroi se do të padisë disa gazetarë, ku tha se gazetarët nuk kanë bërë vepra penale, e kanë ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes.

Sipas Kusarit gazetarët e përmendur nga Peci nuk e kanë cenuar votën e lirë të askujt dhe as nuk kanë falsifikuar rezultate zgjedhore.

“Asnjë nga personat e përmendur në postimin e kandidatit për kryetar të Mitrovicës Faton Peci nuk kanë bërë vepra penale. As nuk e kanë cënu voten e lirë të askujt dhe as nuk kanë falsifiku rezultate zgjedhore. Ata e kanë ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes që të ndajnë mendimet e tyre për procesin zgjedhor me publikun dhe gabimet në exit polls duhet të paguhen me kredibilitet”, tha Osmani.

Tutje sipas saj përdorimi i ligjit dhe procedurave penale kundër gazetarëve dhe kompanive, është abuzim i procedurave dhe ligjeve penale.

“Çdo metodë tjetër, siç është përdorimi i ligjit dhe procedurave penale kundër gazetarëve dhe kompanive, është abuzim i procedurave dhe ligjeve penale me qëllim që gazetarëve t’ua mbyllin gojën. Është përpjekja e rradhës për të ushtruar presion politik ndaj mediave.”, tha Kusari ndër të tjera.

Ndërkaq, Kusari vlerësoi se kjo përpjekje e Pecit do të dështojë por faturën në raportet dhe indekset ndërkombëtare për liri të mediave do ta paguajë Kosova, e cila dikur ishte kampion në rajon për liri të shprehjes dhe medias.

Faton Peci të mërkurën ka vendosur të padis gazetarët që po konsideron që kanë ndikuar në proces, ku thotë se këtë vendim e mori pas një “analize të thellë”.

Gazetarët që ka vendosur Peci ti padisë janë: Baton Haxhiun, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Pandurin, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë që nuk i ka përmendur.