Kusari: Osmani e ka të humbur betejën me gazetarin gjerman, do ta dëmtonte reputacionin e Kosovës

Juristja për media, Flutura Kusari, ka vlerësuar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta dëmtonte seriozisht Institucionin e Presidentes dhe vetë Kosovën nëse do të vendoste të padiste gazetarin gjerman Michael Martens ose median ku ai shkruan, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

Në një reagim publik, Kusari ka bërë të ditur se e ka lexuar të plotë analizën e Martens dhe se, sipas njohurive të saj profesionale mbi mbrojtjen e reputacionit, shkrimi është i rregullt nga pikëpamja ligjore. Ajo thekson se analiza trajton një çështje me interes publik – mënyrën e zhvillimit të fushatës presidenciale – e cila, sipas praktikës gjyqësore, gëzon mbrojtje të lartë.

Sipas Kusarit, shkrimi përmban opinione, vlerësime dhe analiza të bazuara në njohuritë e autorit për Kosovën dhe në burime konfidenciale. “Opinionet nuk i nënshtrohen kriterit të verifikimit dhe për këtë arsye gëzojnë mbrojtje të gjerë ligjore”, ka theksuar ajo.

Kusari sqaron se i vetmi fakt i ri i përmendur në analizë është pretendimi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia ka siguruar Osmanit një ulëse në Bordin e Paqes – fakt që, sipas saj, nuk është kontestuar nga Presidentja. Ajo shton se faktet i nënshtrohen verifikimit dhe, nëse ky pretendim nuk është i saktë, atëherë kjo duhet të ngrihet si çështje konkrete.

Duke folur për standardet e lirisë së shprehjes, Kusari thekson se Presidentja mban pozitën më të lartë shtetërore dhe, si e tillë, veprimet e saj politike janë subjekt i kritikës publike, edhe kur ajo është e ashpër apo e pakëndshme. “Liria e shprehjes dhe e medias ua mundëson gazetarëve të kritikojnë dhe të kërkojnë llogari”, ka shkruar ajo.

Si shqetësuese, Kusari e cilëson përmendjen e ligjit penal nga Zyra e Presidentes si formë kërcënimi ndaj gazetarit gjerman, ndonëse shpifja në Gjermani ndiqet sipas ligjit civil. Ajo kritikon gjithashtu përdorimin e termit “dezinformatë” për një shkrim të botuar nga një gazetë prestigjioze si FAZ.

Në fund, Kusari vlerëson se një padi e tillë, qoftë para gjykatave gjermane apo në çdo gjykatë ku sundon ligji, nuk ka asnjë shans për t’u fituar. Sipas saj, pasoja e vetme do të ishte krijimi i një reputacioni negativ për institucionet e Kosovës, si përdoruese të padive të pabaza dhe abuzive kundër gazetarëve dhe mediave ndërkombëtare. “Ky lloj reputacioni nuk na duhet”, përfundon ajo.