Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka premtuar qytetarëve se nëse fiton edhe një mandat, do ta heqë kufizimin për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Në tetor të vitit 2024, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kishte votuar kundër propozimit që të ndryshohej ligji aktual.
Gjatë fushatës në Gjakovë, Kurti të premten mes tjerash u tha qytetarëve atje se do ta bëhet një ligj i ri, i cili mes tjerash largon këtë kufizim.
“Në muajt e parë të qeverisjes sonë, do të heqim taksën doganore prej 10 për qind për veturat nga Bashkimi Evropian, kurse me draft ligjin e ri për automjete që është gati dhe po pret fillimisht miratimin në Qeveri, e pastaj edhe në Kuvend, do ta heqim kufizimin 10 vjeçar për veturat që importohen nga jashtë” – tha ai, transmeton Nacionale.
VV në Kuvend: KUNDËR
Në tetor të vitit 2024, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kishte kërkuar që të ndryshohet ligji për automjete, i cili ndalon importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet.
Në disa pamje të publikuara, shihej se një gjë e tillë iu kërkohej deputetëve nga shefja e tyre, Mimoza Kusari-Lila.
Në anën tjetër, kryetarja e komisionit që është marrë me këtë çështje, Fitore Pacolli, tash candidate për deputetë, u bënte thirrje deputetëve të votojnë kundër.
“Komisioni ka shqyrtuar propozimet të cilat kanë ardhë nga deputeti, komisioni mendon se propozimet janë joprofesionale prandaj kërkojmë nga deputetët që mos t’i votojnë. Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës po rregullon ligjin e ri…ta presim i cili do të ketë ndryshime profesionale për ligjin për automjetet” – tha ajo.
Në një mesazh të kapur nga Nacionale, Mimoza Kusari – Lila “urdhëronte” po ashtu deputetët e VV-së që të votojnë kundër.
Fillimisht, Lushtaku tha se ky ka qenë shqetësim i familjeve me të ardhura më të vogla, të cilat nuk kanë mundësi të blejnë vetura të shtrenjta.
“Meqenëse ky projektligj është hera e dytë që e prezantoj, jo vetëm në këtë legjislaturë, ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve që të ketë një ndryshim të ligjit për automjete, kryesisht prej familjeve me standard më të ulët, duke ditur që e kanë të vështirë të blejën një veturë me një standard ekonomik të familjeve të ulëta dhe të mesme. Duke parë që ligji për automjete ndalon importimin e veturave më të vjera se 10 vjet, unë kam propozu që ky kufizim të largohet. Meqenëse kemi dy standarde, standard të dyfishta, që nuk ndodhë as në Evropë, ku përmendet eurodizel katër apo pesë, kryesisht në qytete me komunikacion më të madh dhe mund të shkaktohet edhe ndotje e ajrit. Herën e kaluar kur e kam prezantu këtë projektligj ka pasë debate në nene të ndryshme, kryesisht te kontrolla teknike, unë e kam tërhjek atë propozim dhe jam fokusuar vetëm te pjesë e ndalimit të importit të veturave sepse ekonomitë familjare nuk mund të blejnë vetura shumë të reja.” – kishte thënë ai, transmeton Nacionale.