Kusari-Lila thotë se s’ka abuzime me derivate: Këto janë çmimet e importit dhe të tregut

Mimoza Kusari-Lila tha se gjatë këtij vikendi ka angazhuar inspektorë për monitorimin e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të derivateve.

Ministrja e Tregtisë nuk përmendi të ketë pasur shkelje të kryera nga operatorët në treg.

“Së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës po analizojmë edhe të dhënat për çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor”, tha ajo.

Sipas Kusarit, çmimi mesatar me të cilin importohet një litër në naftë në Kosovë është 1.40 euro.

“Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë (07.03.2026) ishte: Naftë (Dizel): 1.40 €/litër – Benzinë: 1.14 €/litër”, shkroi Kusari-Lila të hënën.

“Ndërkohë, bazuar në monitorimin në terren nga e shtuna deri më sot, çmimet në tregun me pakicë rezultojnë: Naftë (Dizel): 1.39 € – 1.55 €/litër – Benzinë: 1.27 € – 1.32 €/litër”.

Sipas vendimit të Ministrisë, marzha maksimale e fitimit është përcaktuar dy eurocentë për litër për shitjen me shumicë, ndërsa 12 eurocentë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja Kusari-Lila paralajmëroi se në çdo rast të shkeljeve eventuale nga kompanitë e derivateve “do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi”.