Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se Vjosa Osmani nuk i ka pasur të garantuara votat për presidente.
Ajo ka thënë se kanë pasur konfirmim edhe brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do ta votonin të gjithë Osmanin.
“Jam e bindur se kanë munguar votat. Në votimin në Kuti kemi pasur indikacione të qarta që së pari nuk do të jenë të gjitha votat e grupit tonë parlamentar, ka pasur konfirmim që nuk janë të gjithë grupi jonë në favor të rizgjedhjes”, ka thënë Kusari-Lila në Tëvë1.
Ajo nuk ka folur nëse këto vota kundër ishin nga partneri Guxo, duke thënë se përë këtë duhet të deklarohen nga kjo parti.
Ajo ka thënë se ka qenë e konfirmuar se as të gjitha votat nga LDK nuk kanë qenë të sigurta, kur ka komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku se nuk kanë asgjë kundër kandidaturës së Osmanit.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Kusari-Lila tha se u qëndron mbrapa deklarimeve të saj ku ka vlerësuar punën e Osmanit gjatë mandatit 5 vjeçar.
Ajo ka thënë se Osmani është ngutur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.










