Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pritjet janë që të dielën të votohet qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti, por ende mungojnë disa vota për shumicën e nevojshme parlamentare.
Ajo e ka pranuar se ende nuk i kanë votat për Qeverinë “Kurti III”.
“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, deklaroi deputetja.
Ajo shtoi se nuk ka pasur takime zyrtare mes partive, por ka pasur komunikime individuale me deputetë që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë.
“Përpjekjet do të vazhdojnë, nuk ka pasur formacion zyrtar të takimeve mes partive politike, më shumë komunikime me deputetë, porse në cilindo format ose në cilindo rast e shohin si të domosdoshme një funksionalizim të plot të institucioneve të vendit”.
Kusari-Lila kritikoi LDK-në, duke thënë se partia e Lumir Abdixhikut nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim.
“LDK-ja nuk ka pranuar as uljen në tavolinë për diskutim, nuk e kanë pasur problem që ta shkelin vetë fjalën e dhënë edhe në kuadër të këtij procesi. Sipas Abdixhikut, fjala e dhënë duhej të mbahej edhe për konstituim të organeve të Kuvendit… fjala e dhënë, nuk u mbajt u ndryshua”, tha ajo në Tëvë1.










