Vjet, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bë si ‘kumbarë’ i koalicionit VLEN, në Maqedoninë e Veriut, në të cilën janë rrasur plot katër parti. Duke e hedhur BDI-në në opozitë, ky koalicion, i dobët nga numrat dhe harmonia, u bë partner me VMRO-DPMNE-në e fuqishme. Pa kaluar as një vit, edhe vetë krerët e koalicionit po e pranojnë se shqiptarët janë të pakënaqur me të.
Col Mehmeti
Iftari i së premtes me kryeministrin Albin Kurti as nuk i ka bërë bashkë e as nuk ka dhënë siguri se përfaqësuesit e koalicionit ‘VLEN’ do të qëndrojnë të bashkuar.
Vetëm sot, katër ditë me vonesë, është bërë i ‘gjallë’ ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Në një paraqitje për mediet në Shkup, ai ka thënë se në këtë iftar është biseduar kryesisht për zgjedhjet lokale që mbahen në të dyja vendet.
Ai ka pranuar për herë të parë se qytetarët janë të pakënaqur nga puna e VLEN-it, por jo edhe nga ajo e qeverisë.
“Se ka njëfarë pakënaqësie prej funksionimit të VLEN-it brenda qeverisë, ky është fakt i pamohueshëm. Se njerëzit janë të kënaqur prej funksionimit të qeverisë, edhe ky është fakt i pamohueshëm. Mendoj se problem kryesor brenda VLEN-it është desinkronizimi ynë, ndaj na duhet sinkronizim më i mirë”, ka thënë Taravari.
Sipas tij, ky problem vjen nga fakti që koalicioni përbëhet nga katër parti, ku për çdo gjë duhet të konsultohen katër kryesi e katër përfaqësues të partive politike.
“Mendoj se koordinimi jo shumë i mirë i lë këto pasoja”, ka thënë ai.
Por, Taravari ka mohuar zërat se do të ketë dalje të këtij koalicioni nga qeveria e Mickoskit.
“As nuk kemi thënë se dalim nga qeveria, e as nuk kemi një plan të tillë”, ka theksuar ai.
I pyetur nëse këtë koalicion do ta braktisë sebep mosarritjes së marrëveshjes për zgjedhjet lokale, Taravari ka përsëritur se ende ekzistojnë dy opsione.
“Ne kemi dy opsione, njëri është që ne të shkojmë si VLEN bashkërisht, gjë që e dëshiroj edhe unë, dhe e dyta është të dalim vetë si Aleancë për Shqiptarët”.
Iftari që nuk bashkoi
Ndryshe, iftari i së premtes në Prishtinë, me ftesë të kryeministrit në detyrë, ishte parë si ‘darka e fundit’ përballë mundësisë që ky koalcion të prishet për shkak të përplasjeve se kush do ta marrë flamurin e liderit.
Siç ka shtjelluar edhe NACIONALE, ndërndyshjet brenda koalicionit shqiptar janë shtuar në prag të zgjedhjeve të sivjetme lokale.
Ndërkohë, është përfolur se në iftarin e thirrur nga Kurti kanë plasur mosmarrëveshje mes kreut të ASh-së, Arben Taravari dhe atij të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Një nga zënkat mes tyre ka qenë edhe akuza e Taravarit se Kasami në Tetovë e ka shpërfillur ASh-në.
VLEN-in e quajnë “të pavlerë” edhe miqtë e Kurtit
Pakënaqësitë ndaj VLEN-it, që është partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë e Hristjan Mickoskit, janë zëruar edhe nga mbështetës të flaktë të Kurtit në Maqedoni.
I tillë ishte edhe rasti i shkrimtarit dhe analistit nga Shkupi, Kim Mehmeti, që VLEN-in e ka cilësuar si ‘të pavlerë’.
Në një nga shkrimet e fundit, ai madje i kishte cilësuar si ‘paçavura’ përfaqësuesit e VLEN-it.
I njohur për mbështetjen aktive për kryeministrin në ikje të Kosovës, analisti nga Shkupi e ka kritikuar Kurtin se me ndërhyrjen e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni i ka përçarë shqiptarët politikisht “edhe më shumë seç janë të copëtuar”.
Kurti ndihmoi në largimin e BDI-së dhe fitoren e VMRO-së
Vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti dhe njerëzit e rrethit të tij ishin përfshirë në përpjekje aktive në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në emër të ndryshimeve në politikën shqiptare, Kurti nga zyra e tij i kishte bërë ‘amin’ atij që u quajt si koalicioni VLEN – në përbërje të të cilit ishin Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe filiali lokal i VV-së.
Megjithë këtë mbështetje, VLEN-i kishte rezultuar jo fort i pëlqyer për votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Me vetëm 10.92 për qind të votave, ky koalicion pati një dallim të shënueshëm prej Frontit Evropian me 14.06 për qind – që përbëhej nga BDI, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, PDSh, Lëvizja Popull, dy parti turke, një boshnjake dhe një rome.
Thyerja e rregullit të pashkruar
Duke e thyer rregullin e pashkruar të formimit të qeverive në Maqedoni, partia fituese maqedonase VMRO-DPMNE zgjodhi për partner qeverisës koalicionin humbës, atë që ishte përkrahur me të madhe nga Kurti dhe Vetëvendosja.
Pas formimit të qeverisë së re, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zhvilluar disa takime me homologun e tij maqedonas, Hristjan Mickoski – që në të vërtetë ishin nga takimet e pakta të tij me liderë rajonalë e të huaj.