Kurti vlerëson veprën e Alketa Xhafa-Mripës: Nuk ka shërim pa drejtësi

Në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nderuar punën e artistes me famë ndërkombëtare, Alketa Xhafa-Mripa, e cila përmes artit të saj vazhdon të mbajë të gjallë kujtesën për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

 

“Puna e Alketa Xhafa-Mripës e ka kthyer dhimbjen në motiv dhe heshtjen në kujtesë të fuqishme publike”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, duke vlerësuar lart veprën e artistes në Strasburg.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, instalacioni i saj ‘Mendoj për Ty’ ngrihet në Strasburg, në kryeqytetin evropian të të drejtave të njeriut. E rrënjosur në vuajtjet e të mbijetuarve të Kosovës – 20,000 gra, fëmijë dhe burra të dhunuar gjatë luftës – puna e Alketës tejkalon kufijtë. Ajo kujton, por edhe kërkon. Zgjon ndërgjegjen, bën thirrje për llogaridhënie dhe këmbëngul që drejtësia duhet të mbizotërojë”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit, përmes artit të saj, Kosova qëndron krenare – jo vetëm si një vend që ka duruar, por edhe që udhëheq.

“Nuk mund të ketë shërim pa drejtësi. Nuk ka paqe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, ka shkruar tutje Kurti.

The post Kurti vlerëson veprën e Alketa Xhafa-Mripës: Nuk ka shërim pa drejtësi appeared first on Kosovapost.net.