Kurti uron fillimin e vitit të ri shkollor: Dashuria e mësuesve është po aq e rëndësishme sa ajo e prindërve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, përcjell KosovaPost.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se sot ka vizituar nxënësit e klasës së parë të shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet të cilëve u uroj rrugëtim të suksesshëm.

“Dita e parë e klasës së parë është një ditë e veçantë për çdo fëmijë dhe çdo prind. Këtë vit shkollor, në nivel vendi janë afër 25 mijë fëmijë që nisin mësimet në klasën e parë, që takojnë mësueset e mësuesit e tyre dhe që fillojnë miqësitë e para me shokët e shoqet e klasës dhe gjeneratës.”

“Bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituam nxënësit e klasës I/1 të shkollës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me mësuese Drita Bashota, dhe i uruam përzemërsisht fillim të mbarë e rrugëtim të suksesshëm përgjatë gjithë shkollimit”, ka shkruar Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha se dashuria e mësuesëve është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindësrve.

“I inkurajoj të gjithë mësimdhënësit që të jenë sa më afër fëmijëve dhe nxënësve, sepse në moshat e hershme dashuria e mësuesit dhe mësueses është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindërve. Dashamirësia që tregojmë për të tjerët dhe për ta bëhet faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre. Urime fillimi i vitit të ri shkollor 2025/2026!”, tha Kurti.

The post Kurti uron fillimin e vitit të ri shkollor: Dashuria e mësuesve është po aq e rëndësishme sa ajo e prindërve appeared first on Kosovapost.net.