Kryeministri Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve jorezident të Kosovës, për të regjistruar përmes platformës online e-Diaspora.
Ai gjatë thirrjes së tij përmes një video në Facebook, mërgatën e cilësoi si pjesë të pandashme të Kosovës.
I pari i qeverisë kosovare, tha se duke u regjistruar si qytetar jorezident është mundësi për të “forcuar lidhjen” me atdheun.
“Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, u shpreh 49-vjeçari.
Njeriu që mbi supe e ka udhëheqjen e qeverisë, thotë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.
“E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”, deklaroi Kurti.