Kurti thotë se Abdixhiku ia refuzoi “mjaft ashpër” ofertën për koalicion, “i lutet” sërish për bashkëqeverisje

Kryeministri në detyrë, njëherit kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se oferta e tij për koalicion drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, u refuzua mjaft ashpër nga kjo parti. Pavarësisht refuzimit nga LDK, Kurti sërish ka shprehur dëshirën për bashkëqeverisje me këtë parti, duke e përshkruar edhe si koalicionin ideal, shkruan Reporteri.net.

Kurti tha se oferta e tij erdhi meqë nga LDK u tha se për dalje nga ngërçi, duhet marrëveshje politike.

“Nga Lidhja Demokratike e Kosovës mu tha që nuk është vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por duhet marrëveshje politike. Prandaj, unë i ofrova koalicion qeveritar LDK’së, gjë që u refuzua mjaft ashpër”, ka deklaruar Kurti në RTK.

Sipas Kurtit, rruga përpara është që partitë të mos ia imponojnë njëra-tjetrës propozimet, duke shtuar se zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të shkojnë si “paketë”.

Ai përsëriti edhe njëherë se nuk do të bëjnë kompromis për çështjen e Kryeparlamentarit, përkatësisht emrin e Albulena Haxhiut për këtë pozitë.

“Nesër nuk është pyetje Albulena, që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht Komisioni për votimin e fshehtë.  Nëse opozita janë të sigurtë që Albulena nuk kalon përsëri, le ta provojmë votimin e fshehtë. Posa të konstituohet Kuvendi, do t’i kem 61 vota minimum për Qeverinë e re, por paraprakisht na duhet konstituimi”, shtoi Kurti.

Kurti zbuloi se pikërisht kjo pozitë ka qenë edhe arsyeja e dështimit të arritjes së një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate.

Por, shprehu interesim për një koalicion me Limajn, në këmbim të ministrive.

“Unë jam shumë i interesuar që të bashkëqeverisim, pra që ata të kenë Ministri në Qeveri”, tha Kurti.

Sipas tij, një parti me tre deputetët s’mund ta ketë pozitën e Kreut të Kuvendit.

“Unë kam pasur takime me Kryetarin e Nismës Socialdemokrate. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje. Thjeshtë për shkak të insistimit për shkak të një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e Kryeparlamentarit.  Një partie me 3 deputetë t’ia japim Kryeparlamentarin, kur e kam koalicionin me një parti që e ka dyfishin e deputetëve…nuk ishte një gjë e mundur”, deklaroi Kurti.

Ai tha se është lajm që Limaj është kthyer në Kuvend, teksa shtoi se AAK’ja e kaloi pragun falë tij.

“Është lajm që Fatmir Limaj, Komandant “Çeliku” është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që do të duhej të jetë parti simotër me VV’në i ka 3 deputetët në Kuvendin. Le të mos harrojmë, jo vetëm që u kthye Fatmir Limaj në Kuvendin e Republikës, por njëkohësisht ia mundësoi AAK’së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK’ja kësaj radhe do të ngelej nën prag”, deklaroi Kurti.

Sipas Kurtit, një koalicion ideal do të ishte nëse bashkëqeverisin VV, LDK dhe Nisma, meqë kështu do t’i kishin votat edhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që në legjislaturën e kaluar kanë dështuar disa herë.

“Vetëvendosje plus LDK, plus pakicat joserbe, do të behëj 77 deputetë. Madje nëse na shtohen edhe 3 të Nismës do bëhemi 80-të. Edhe për marrëveshjet ndërkombetare, kjo besojmë që është rruga e duhur përpara”, tha Kurti.

Për Kurtin, PDK’ja duhet të mbetet në opozitë së paku edhe një mandat.,

Teksa ka folur mbi propozimin e Kreut të LDK’së për qeveri të tranzionit, duke qeshur ai ka thënë se mezi e kanë nxjerrë në opozitë PDK’në pas 20 vjetësh dhe se nuk e kupton pse po duan që ta kthejnë këtë parti në pushtet.

“Unë nuk jam për ato solucione qeveri teknike, tranzicionale, gjithpërfshirëse, që e lënë Kosovën pa opozitë. Në demokraci duhet të kemi opozitë. Besoj që dhe një mandat minimalisht i duhet PDK’së të jetë në opozitë. Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë, unë nuk e di pse ky zell i atyre që janë në opozitë, e nuk janë në PDK ta kthejnë PDK’në në qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Lidhur me përpjekjen e VV’së për ta ndryshuar mënyrën e votimit në të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Kurti e ka arsyetua duke thënë se deputetët e partive që deri vonë ishin në opozitë, po kanë presion nga shefat për votën e tyre.

“Besojmë që deputetët opozitarë janë në një trysni të madhe nga shefat e partive që ta ruajnë homogjenitetin e tyre publikë, dhe në një situatë të tillë do ta kishin lirinë e tyre t ëplotë që me një votim të fshehtë ta shprehin vullnetin e tyre.  Ka shumë deputetë opozitare që ndoshta do të ishin kundër krijimit të Qeverisë ku unë do të isha kryeministër, mirëpo konstituimi i Kuvendit është absurd të kundërshtohet”, ka thënë Kurti.

Ai tha se Albulena Haxhiu është kandidatja e duhur për Kryetare Kuvendi.

“Ne kemi besuar se do ta kemi konstituimin e Kuvendit shumë më shpjt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun, që është gruaja më e votuar. Me mbi 125 mijë vota, besoj se është propozimi i duhur”, deklaroi ai./Reporteri.net