Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Takimi është ftuar për të enjten në orën 8:30, para kohës kur është caktuar të mbahet vazhdimi i nëntë i seancës konstituive.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarët e dy partive opozitare, Memli Krasniqin e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Takimi është planifikuar të mbahet nesër, më 1 maj, në orën 08:30, në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në letrën drejtuar opozitarëve, Kurti ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të tri partive më të mëdha në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit, duke kërkuar një takim të përbashkët për këtë çështje.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”.
“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.
Kurti letër Abdixhikut dhe Krasniqit, i fton në takim për konstituimin e Kuvendit
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën.
Deputetja Hykmete Bajrami ka deklaruar se as kryetari Abdixhiku dhe asnjë përfaqësues tjetër i LDK-së nuk do të marrë pjesë në takim.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami.
PDK ende nuk ka komentuar publikisht për ftesën e Kurtit.
Duhet theksuar se konstituimi i Kuvendit – i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse.
Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja./Demokracia.com/